Kosova la pas një vit të përgjakur, me krime të rënda. Babai e vrau djalin, burri gruan, motra e mbyti motrën e kushëriri kushëririn. U vranë edhe dy zyrtarë të PDK-së. Por dy prej vrasjeve që e tronditën tërë vendin ishin ajo e Marigona Osmanit në Ferizaj dhe tragjedia e Gllogjanit.
Vrasja e trefishtë –Sulmi ndaj autobusit në Gllogjan
Tragjedia e Gllogjanit do të mbahet mend si një ndër vrasjet më makabre që janë kryer ndonjëherë në Kosovë. Vrasja e trefishtë u krye mbrëmjen e 26 nëntorit, rreth orës 19:00.
Atë natë, autobusi që po transportonte nxënës nga Gjakova për në Deçan u sulmua ma kallashnikov. Të vrarë mbetën ngasësi i autobusit dhe dy nxënës që ndodheshin brenda.
Për motivet e rastit nuk dihej asgjë në orët, as në ditët e para. Përflitej për sulm terrorist, por policia njoftoi se s’ka arsye për të besuar se sulmi mund të ketë motive të tilla.
Të dyshuarit për sulmin nuk u zbuluan për disa ditë. Tek më 11 dhjetor, Prokuroria Themelore e Pejës njoftoi se janë arrestuar tre të dyshuar për rastin.
Për motivin nuk është dhënë ende asnjë deklaratë zyrtare, por në medie është përfolur si pistë hetimi vetëvrasja e një të reje para dy vitesh, për të cilën dikush e fajësonte shoferin.
Ajo që kishte kryer vetëvrasje ishte vajza/motra e të dyshuarve për sulmin ndaj autobusit.
Tre të arrestuarit ndodhen aktualisht në paraburgim.
Vrasja mizore e 18-vjeçares nga Ferizaj
Vendi u trondit edhe nga një vrasje që u krye në Ferizaj, në fund të gushtit. 18-vjeçarja Marigona Osmani u vra mizorisht, duke u keqtrajtuar për dy ditë rresht.
Ajo ishte dërguar pa shenja jete nga dy persona në Emergjencën e Ferizajt.
Për këtë rast dyshohen ish-partneri i Marigonës, Dardan Krivaqa, dhe Arbër Sejdiu, të dy emra të njohur për organet e rendit.
Sipas Gjykatës, vrasja është kryer për motive të ulëta.
Në njoftimin e Gjykatës Themelore të Ferizajt për caktimin e masës së paraburgimit ndaj Krivaqës thuhej se “i pandehuri më 22 gusht 2021, në Ferizaj, në banesën e tij me dashje, në mënyrë mizore për motive të ulëta, një natë përpara, ka ushtruar fillimisht dhunën psikike, pastaj edhe dhunë fizike, e cila ka vazhduar edhe ditën kritike, derisa e ndjera ka ndërruar jetë”.
Ndërkohë, për Sejdiun thuhet se “gjatë gjithë kohës ka qenë i pranishëm, në vendin e ngjarjes, e i cili edhe ka marr pjesë në ushtrimin e dhunës fizike dhe psikike, me këtë ka kontribuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në kryerjen e veprës penale, gjegjësisht vdekjen e të ndjerës, dhe më pas të njëjtën e dërgojnë dhe e lënë në spitalin e përgjithshëm në Ferizaj, pa shenja jete, ndërsa dy të pandehurit ikin në drejtim të panjohur”.
Vrasja e dy zyrtarëve të PDK-së në Pejë
Një muaj më vonë, një vrasje që u krye në Pejë shokoi të gjithë. Dy zyrtarët e Partisë Demokratike të Kosovës, Astrit Ademaj dhe Blerand Kadriaj, u vranë pas një zënke.
Astrit Ademaj dyshohet se u vra nga Blerand Kadriaj, kurse Blerandi dyshohet se u vra nga vëllai i Astritit, Avniu.
Sipas aktvendimit për fillim të hetimeve, prokuroria ka mbledhur prova se viktimat ishin takuar së bashku në lokal, ku gjatë bisedës kishin nxjerrë armët dhe kishin futur fishekët në tytë.
“Pasi viktimat ishin takuar së bashku, prezent kishin qenë edhe i pandehuri Avni dhe dëshmitari NN, gjatë bisedës në mes të dy viktimave, fillon të acarohet situata, ashtu që të dy viktimat përnjëherë i nxjerrin armët, i fusin fishekët në tytë dhe prapë vazhdojnë të fjalosen”, thuhet në aktvendim.
Aty thuhet se i pandehuri Avni Ademaj ia kishte marrë armën tani të ndjerit Astrit Ademaj dhe kishte shtënë në drejtim të tani të ndjerit Blerand Kadrijaj.
“Për një moment gjersa viktimat po fjaloseshin, i pandehuri Avni ia merr armën viktimës Astrit dhe më të njëjtën fillon të gjuajë në drejtim të ndjerit Blerand, i cili poashtu në të njëjtën kohë shtënë edhe ky në drejtim të viktimës Astrit dhe të pandehurit Avni. Si pasojë e këtyre goditjeve të pandehurit Avni është privuar nga jeta viktima Blerand i cili ka mbetur i vrarë në vend të ngjarjes, kurse viktima Astrit ka mbetur i vdekur nga të shtënat e të ndjerit Blerand, e poashtu edhe i pandehuri Avni ka marrë lëndime në shuplakën e dorës së majtë”, thuhet në aktvendimin e prokurorisë.
Zyrtarish s’dihet motivi i këtij rasti, por sipas familjarëve të Astrit Ademajt, vrasja ka ndodhur për motive politike.
Babai vrau djalin në Prishtinë
Një tjetër vrasje e rëndë që u krye sivjet ishte edhe ajo e Albert Krasniqit, i cili u vra nga babai i tij, Skënder Krasniqi.
Ai është shpallur fajtor dhe dënuar me 3 vite e pesë muaj burgim për veprën penale “vrasje nga pakujdesia”.
Rasti kishte ndodhur më 27 janar të këtij viti, rreth orës 17:00. Skender Krasniqi e kishte telefonuar vetë Policinë e Kosovës, për të raportuar se e kishte vrarë djalin.
Pas tragjedisë, ai kishte qenë në gjendje të rëndë emocionale.
Avokati i tij, Ramiz Krasniqi, kishte deklaruar për Express se në vendin ku ka ndodhur krimi ka pasur kamera dhe pamjet janë tërhequr nga policia.
“Unë nuk e di së çka kanë deklaru familjarët, por e di që vrasja është aksidentale, ashtu më ka thënë Skenderi. Tani ta shohim se çfarë po flasin pamjet e kamerave. Me gjasë ka pas kamera, i kanë tërheq policia, por tash a kanë qenë funskionale a jo nuk e di se nuk e kam pa atë pjesë. Ajo pjesë ka qenë me kamera, por nuk e di e di që policia ka shku dhe besoj që i kanë tërheq”, pati deklaruar Krasniqi.
Sipas avokatit, arma që e kishte blerë tashmë i ndjeri, Alberti, kishte qenë pa leje.
Ish-bashkëshorti vrau gruan dhe bëri vetëvrasje në Emshir të Prishtinës
Vrasjet e grave vazhduan edhe sivjet. Një 42-vjeçare me inicialet S.S., u vra nga ish-burri i saj, i cili më pas bëri vetëvrasje.
12 ditë para se të privohej nga jeta, ajo e kishte raportuar burrin në polici.
Viktima kishte pasur probleme me ish-burrin edhe në të kaluarën. Palët ishin të njohur për policinë për një denoncim të bërë për sulm dhe dhunë në familje edhe në vitin 2019.
Vrasja dyshohet se ka ndodhur për shkak të problemeve që çifti kishin mes vete, gjithashtu raportohet se së fundmi i kishin ndarë rrugët – ishin në procedura të shkurorëzimit.
Motra mbyti motrën në Fushë Kosovë
Një 33-vjeçare vdiq tragjikisht sivjet në Fushë Kosovë. Ajo dyshohet se u ngufat me jastëk nga motra e saj rreth tri vjet më e vogël.
Për vdekjen tragjike të 33-vjeçares nga fshati Vragoli i Fushë-Kosovës, ishte deklaruar menjëherë Policia e Kosovës.
“Rreth orës 12:00, kemi pranuar informatën për një rast vdekje e dyshimtë, në fshatin Vragoli të Fushë Kosovës. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes si dhe mjekët emergjent të cilët kanë konstatuar vdekjen e viktimës femër 33 vjeç. Mbështetur në të dhënat fillestare të këqyrjes së vendit të ngjarjes përkundër që ka elemente që sugjerojnë për një vdekje të dhunshme, policia me kujdes të shtuar po heton rastin si vdekje të dyshimtë dhe po ndërmerr të gjitha veprimet e duhura hetimore dhe ato forenzike – të ekzaminimit që do të ndihmonin hetimin e ngjarjes si dhe sqarimin dhe ndriçimin e plotë të rastit”, kishte njoftuar policia.
Mësimdhënësi vrau prindin e nxënëses në Pejë
Peja u trondit edhe nga një vrasje tjetër tragjike që ndodhi në maj. Një 50-vjeçar me inicialet G.K., u vra me armë zjarri, pak metra larg banesës së tij.
I dyshuari për vrasje është ish-kujdestari i klasës së vajzës së viktimës, Xhevdet Januzaj.
Arsimtari i Fizikës ishte dënuar me tri vite e gjashtë muaj burgim dhe ndalim të ushtrimit të profesionit për vepren penale “sulm seksual”, të kryer në vitin 2019, ndërsa nxënësja – viktimë e këtij rasti, ishte vajza e G.K., në atë kohë 13-vjeçare.
Sipas familjes së viktimes, ai u kishte ardhur disa herë te banesa dhe i ruante me sakicë.
Veprimet e tij i kishte denoncuar në polici G.K., një ditë para se të vritej, kishte thënë djali i tij. Por, familja e viktimës kishte marrë kërcënime nga profesori edhe në të kaluarën që të tërhiqeshin nga deklarata e tyre për sulm seksual ndaj nxënëses.
Vrasja mes kushërinjve në Batllavë të Podujevës
Një vrasje u krye edhe në Batllavë të Komunës së Podujevës. Një 41-vjeçar me inicialet G.B, u vra nga kushëriri i tij.
Sipas të afërmve të viktimës dhe dorasit, dyshja kishin pasur probleme të vazhdueshme dhe të ndryshme mes vete, përfshirë ato pronësore.
Vrasjes i kishte paraprirë edhe një mosmarrëveshje e ndodhur mes tyre, ku sipas policisë, i dyshuari kishte shtënë më armë zjarri në drejtim të shtëpisë së viktimës dhe ishte arratisur.
Viti u përmbyll me një vrasje të një shitësi në Mitrovicë – deri në gusht të këtij viti u kryen 19 vrasje
Për vrasjet e kryera sivjet është deklaruar edhe Policia e Kosovës. Sipas statistikave të Policisë, deri në gusht të këtij viti janë kryer 19 vrasje, prej të cilave 12 kanë qenë të rënda.
E fundit vrasje është kryer në Mitrovicë. Një tentim-grabitje e ndodhur në rrugën “Mbretëresha Teutë” në Mitrovicë, ka përfunduar me vrasje atje.
I vrarë ka mbetur pronari i lokalit, meqenëse s’ka mundur t’iu mbijetojë plagëve të marra.
Lajmin për vdekjen e tij e ka konfirmuar zëdhënësja e Spitalit të Mitrovicës, Nita Mustafa-Hakaj.
“Mund të konfirmoj se një person i plagosur, që kishte ardhur për trajtim, ka ndërruar jetë. Meqë tash ka ndodhur e gjithë ngjarja, nuk mund të deklaroj informacione tjera”, ka deklaruar mbrëmë Mustafa-Hakaj.
Detaje për grabitjen ka dhënë edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti.
Ai ka thënë se nga hetimet fillestare bëhet e ditur se dy persona të dyshuar e të maskuar nën kërcënimin e armës kanë tentuar të grabitin viktimën i cili ndodhej në dyqanin e tije, si pasoj e të shtënave nga të dyshuarit në drejtim të viktimes, viktima ka mbetur i plagosur.
Dy të dyshuarit për këtë rast janë arrestuar.
Në burg për vrasje aktualisht janë 242 persona
Për numrin e personave që janë në vuajtje të dënimit për vrasje, janë deklaruar nga Shërbimi Korrektues i Kosovës.
Zëdhënësi i ShKK-së, Florent Gashi, ka thënë se aktualisht në burgje për këtë vepër ndodhen 242 persona.
Ata janë të dënuar për veprat: Vrasje, Vrasje e rëndë, Vrasje nga pakujdesia, Vrasje në tejkalim të mbrojtjes së nevojshme, Vrasje me paramendim.
Prej tyre 231 janë burra dhe 11 gra.