Për herë të parë, sivjet shkeli në tokën e Kosovës dhe u dekorua nga Ministria e Diasporës për kontributin e saj në diasporë. Mësuesja nga Berati, e cila vite më parë emigroi në Turqi, ka rrëfyer për punën e saj në një bisedë për Sinjalin.
Teuta Tabaku, me prejardhje nga Berati, tash e 16 vjet ua mëson gjuhën shqipe komunitetit shqiptar në Bursa të Turqisë, dhe jo vetëm.
Shkuarja dhe integrimi i saj në Turqi nuk kishte qenë aq i lehtë. Gjatë viteve 1991/92, për shkak të një rasti familjar, Teuta emigroi me familje në Bursa. E vendosur në një banesë njëdhomëshe, me dy fëmijë të vegjël dhe pa njohuri të gjuhës turke, integrimi për familjen e saj kishte qenë një proces i vështirë.
“Kur nuk e dije gjuhën, nuk gjeje punë dot. Kur nuk ke punë, ke vështirësi në mbijetesë”, ka thënë Teuta në një intervistë për Sinjalin.
Por, kjo nuk e demotivoi atë. Anëtarët e tjerë të familjes u regjistruan në shkollat turke, por gjuhën shqipe nuk e harruan asnjëherë. Teuta, e cila kishte studiuar Letërsi në Universitetin e Tiranës, filloi një mision të ri në qytetin turk – t’ua mësonte shqiptarëve të atjeshëm gjuhën shqipe.
“Është e domosdoshme, është e nevojshme, është një gjë që duhet bërë”, ka thënë Tabaku.
E interesimi për ta mësuar gjuhën shqipe nuk po mungon as sot. Siç ka treguar Teuta, numri i të interesuarve është rritur dhjetë vitet e fundit.
“Kanë interesim, kanë mall të shohin vendet nga kanë lindur të parët e tyre, dhe ky interesim është rritur vitet e fundit”, ka thënë Teuta.
Gjatë këtij viti shkollor, ajo ka mbajtur mësim të gjuhës shqipe për pesë klasa, ku ka rastisur të mësojnë shqip edhe fëmijë të vendeve të tjera, si Turqia e Bullgaria.
Përveç fëmijëve, Teuta dhe kolegët e saj po u mësojnë shqipen edhe prindërve të këtyre fëmijëve. “E kemi punë të dyfishtë”, ka thënë ajo.
Anipse ka 56 vjet jetë mbi supe, ajo thotë se puna si mësuese e gjuhës shqipe e lumturon.
“Më jep kënaqësi, pavarësisht se lodhem shumë. E bëj me qejf, e bëj me dëshirë. I bie qytetit të Bursës qosh e më qosh”, ka treguar ajo.
Tabaku tregon se edhe shteti turk ua ka shtuar përkrahjen viteve të fundit, pasi nxorri Ligjin për Dialektet dhe Gjuhët e Popujve të Vegjël.
“Kemi përkrahje sepse klasët ata na i japin, pagesën ata na e bëjnë”, ka pohuar ajo.
Përpos mësimit të gjuhës shqipe, Teuta mban edhe aktivitete të tjera me nxënësit shqiptarë. Përmes klubit të Letërsisë turko-shqiptare, ata përgatisin poezi e pjesë teatrale të cilat më pas i shfaqin në jetimore dhe vende të ngjashme. Në shërbim të gjuhës shqipe, Teuta vazhdon të japë kontribut edhe përmes internetit. Në faqen “Mësojmë shqip”, shpërndahen aktivitetet e tyre, materiale të ndryshme, e as promovimi i vendeve shqipfolëse nuk mungon.
Përveç si mësuese, vite më parë, ajo ishte angazhuar në Konsullatën shqiptare për të ndihmuar në regjistrimin e shqiptarëve në Bursë. Për kontributin e saj për komunitetin shqiptar, Tabaku është vlerësuar me çmimin “Ambasadore e Kombit”. Po ashtu, gjatë muajit gusht, me ftesë të Ministrisë së Diasporës dhe Investimeve Strategjike, ajo ka vizituar për herë të parë Kosovën dhe është dekoruar nga MDIS.
Teuta ndihet e nderuar nga ky vlerësim, dhe ka premtuar se do të vazhdojë me këtë mision, duke rritur numrin e klasave të mësimit të gjuhës shqipe. Njëherësh, ajo u ka bërë thirrje prindërve shqiptarë kudo në botë që t’i dërgojnë fëmijët nëpër klasa apo kurse të gjuhës shqipe.
“Mendoj dhe jam e bindur se Kosova dhe trojet shqiptare do të bëhen më mirë nëse ne të diasporës punojmë akoma më shumë”, ka thënë Tabaku./Sinjali/