image 15 gazetarë të vrarë e të zhdukur në Kosovë, Asociacioni i Gazetarëve kërkon drejtësi për ndriçimin e krimeve

Kosovë

Drejtësi/ 15 gazetarë të vrarë e të zhdukur në Kosovë, Asociacioni i Gazetarëve kërkon drejtësi për ndriçimin e krimeve

news image

“Gazetarët e zhdukur dhe të vrarë në Kosovë” do të jetë tema bosht e konferencës së sotme që do të organizohet në Prishtinë nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës në bashkëpunim me Misionin në Kosovë të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE).

Konferenca ka për qëllim të sensibilizojë publikun dhe nxisë diskutimin lidhur me rastet e gazetarëve të vrarë dhe të zhdukur në Kosovë nga 1998 deri më 2005.

Në këtë konferencë do të jenë të pranishëm familjarë të viktimave, gazetarë, përfaqësues të institucioneve dhe të gazetarëve serbë në Kosovë.  

Në Kosovë janë të vrarë dhe të zhdukur 15 gazetarë shqiptarë dhe serbë ndërsa për shumicën dërrmuese të tyre ende nuk janë zbuluar rrethanat dhe nuk janë dënuar vrasësit e tyre, shkruan Gazeta Sinjali.

Katër nga 15 gazetarët e vrarë ende raportohen si të zhdukur: Lubomir Knezheviq, Marjan Melonashi, Ranko Pereniq and Djuro Slavuj.

Trajtimi i këtyre rasteve është edhe kërkesë e Federatës Evropiane të Gazetarëve (EFJ).

Në qershor të vitit 2018 EFJ ka miratuar një rezolutë ku i bën thirrje Gjykatës së re Speciale me bazë në Hagë t`i hetojë vrasjet dhe zhdukjet e gazetarëve etnikë shqiptarë dhe serbë të lidhura me konfliktin në Kosovë në mes të viteve 1998-2005.

Rezoluta, e miratuar në takimin vjetor të EFJ në Lisbonë, thotë se krimet kundër gazetarëve dhe punonjësve të medias duhet të jenë nën juridiksionin e Gjykatës Speciale të Kosovës me seli në Hagë, e cila do të ngrejë padi për krimet e luftës dhe krimet e pasluftës. /Gazeta Sinjali/