Në Klinikën Infektive të QKUK-së janë të shtrirë 21 persona të prekur nga koronavirusi. 3 persona janë në gjendje më të rëndë shëndetësore, ndërkohë gjendja shëndetësore e të tjerëve është stabile. Megjithëkëtë, në Infektiven e QKUK-së, janë pranuar edhe 14 persona të tjerë të cilët janë në observim me dyshime për Covid-19. Rezultatet për ta pritet që të dalin sot pasdite. Këto detaje i dha infektologu i QKUK-së, Salih Ahmeti.
Në Kosovë ka arritur në 33 numri i personave që janë infektuar me virusin Covid-19, apo siç njihet ndryshe koronavirusi. Ndërkohë dje (22 mars) u konfirmua viktima e parë nga koronavirusi.
Por megjithëkëtë, rastet e dyshuara se janë prekur me koronavirus vetëm po shtohen dita ditës. Tashmë në Klinikën Infektive të QKUK-së janë ndalur për observim edhe 14 persona të tjerë. Rezultatet për ta pritet që të dalin gjatë ditës së sotme.
Ndërkaq 21 persona të tjerë janë në Infektiven e QKUK-së si të konfirmuar me koronavirus. Prej tyre, 3 persona janë në gjendje më të rëndë shëndetësore.
“Gjendja është relativisht stabile. Janë 3-4 persona në gjendje pak më rë rëndë por po monitorohen, 21 janë të shtrirë, të tjerët në shtëpi. I kemi edhe 14 të dyshuar në observim, rezultatet e tyre dalin pasdite. Dy prej atyre në gjendje më të rëndë janë mbi 65 vjeç, dy të tjerët relativisht 40 deri 50 vjeç”, sqaron Salih Ahmeti për Express.
E ndërkohë, deri më tani në Kosovë numri i përgjithshëm i të infektuarve me koronavirus, tani është ngritur në 33 persona.
Më 22 mars në Kosovë u konfirmua viktima e parë nga koronavirusi.
Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik njoftoi se viktima është një pacient 82 vjeç nga Dumnica e Podujevës.
E ndërkaq sa i përket rasteve në rajon, në Shqipëri dje dhe sot janë shënuar dy viktima. Mbrëmë është raportuar viktima e tretë, një 71-vjeçar nga Kuçova i cili vuante nga kanceri në mushkëri. Ndërkaq sot është regjistruar viktima e katërt, i cili është më specifik për shkak të moshës së mesme 43-vjeçar dhe nuk raportohet se kishte vuajtur nga ndonjë sëmundje tjetër.
Maqedonia poashtu ka raportuar dje viktimën e parë nga koronavirusi. Bëhet fjalë për një grua të moshës 57-vjeçare. E ndjera kishte rezultuar negative në dy teste para një jave, por kishte qëndruar në izolim derisa ndërroi jetë. Ministri Filipçe ka thënë se i është bërë testi edhe pas vdekjes dhe kishte rezultuar pozitive.
Edhe në vendin me më pak të prekur nga koronavirusi, Mal të Zi, është shënuar viktima e parë. Atje ka ndërruar jetë një 65-vjeçar i cili kishte probleme me mushkëri. I ndjeri kishte qenë në Serbi në gjysmën e parë të muajit mars dhe dyshohet se atje është prekur nga virusi.