image "13 persona punojnë sa për 80", IHMK ankohen për mungesë stafi

Sociale

“13 persona punojnë sa për 80”, IHMK ankohen për mungesë stafi

news image

Instituti i cili merret me matjen observimin e elementeve dhe dukurive meteorologjike, parashikimin e motit, matjen e niveleve të lumenjve, analizave të ujit si dhe me kontrollin e cilësisë së ajrit, vazhdon të punoi me staf tejet të vogël dhe në objekte me kushte jo të mira.

Koordinatori i Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, Besim Aliu, njëherësh edhe parashikues i motit, tha për Gazetën Sinjali se IHMK ka një staf simbolik, por i cili bënë punë të madhe.

Ai tregon se derisa duhet të jenë rreth 80 punonjës, momentalisht janë 13 në 4 sektorët e meteorologjisë me klimë, hidrologjisë, atë të analizave të ujit dhe sektori i ajrit.

“IHMK posedon pajisjet më të sofistikuara të cilat janë vendosur  dhe të shpërndara në pika të ndryshme po thuaj në  gjithë vendin. Stacionet janë automatike dhe të dhënat e tyre na vijnë në çdo 5 minuta dhe disa parametra tjerë në çdo orë  dhe punojnë 24 orë pandërprerë”, tha Aliu.

Koordinatori i IHMK-së tregoi më tej se ato janë të vendosura në Prishtinë, Shajkoc (Podujevë), Ferizaj, Kamenicë, Tuxhec, Malishevë, Prizren, Gjakovë, Pejë, Istog, Junik dhe Dragash. Pra, janë 12 stacione automatike dhe 4 manuele, paralelishtë në Mitrovicë, Pejë, Prishtinë dhe  Ferizaj.

“Në vitin tjetër kemi me i vendosur edhe tri stacione automatike në Drenas, Mitrovicë dhe  Gjilan. Edhe pse në Drenas dhe Gjilan i kemi stacionet e ajrit ku në të regjistrohen edhe disa parametra vital meteorologjik”, tha Aliu.

Sa i përket teknologjisë koordinatori theksoi se janë shembull në Ballkan, por ka probleme me mungesën e stafit profesional.

“Se sa jemi të kompletuar si staf profesional në numër, përgjigja është katastrofale, sepse jemi staf tepër simbolik, jam i vetëm që kryej punët edhe të teknikut edhe të parashikuesit, kurse parashikues duhen të jenë së paku 8 veta dhe të punohet me turne 24 orë, sepse motit si dihet”, tha Aliu.

Koordinatori i IHK-së më tej theksoi se kanë kërkuar staf qe 22 vjet, por kot vetëm premtime për momentin ka.

Sipas tij stafi meteorologjik që përfshijnë 5 veta me teknik 4 plus koordinatori dhe parashikues edhe teknik punojnë 7 ditë në javë 365/366 ditë në vit dhe nuk kompensohen për ditët e festave dhe vikendeve.

“Mandej unë  që nga fillimi i formimit të IHMK asnjëherë nuk kam shfrytëzuar pushimet, jo që nuk kam pas të drejtë, sepse në kontratë shkruan mirë, por në momentin që nuk më kanë dërguar zëvendësim. Unë kam qenë i detyruar të vazhdoj punën , sepse i’a di rëndësinë e matjeve dhe ato nuk duhet të ndërprehen”, tha Aliu.

Parashikues i motit, njofton se për buxhet saktë nuk e di sa është ndarë për vitin 2023, por Aliu shtoi se e di që në plan është të plotësohen edhe ato tri vende me stacione.

Sipas tij objektet janë të parenovuara  e që nga pas lufta. Në Pejë stacioni meteorologjik është në gjendje të mjerueshme dhe pa investime.

/GazetaSinjali/