image 13 ditë tensione pritet të përfundojnë sot/ Koha kur është vendosur të tërhiqen Policia e barrikadat

Siguri

13 ditë tensione pritet të përfundojnë sot/ Koha kur është vendosur të tërhiqen Policia e barrikadat

news image

Dy pikat kufitare që lidhin Kosovën dhe Serbinë pritet të zhbllokohen sot. Largimi i Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës dhe barrikadave të vendosura nga serbët pritet të fillojë në ora 08:00 dhe të përfundojë jo më larg se në orën 16:00.

Kjo marrëveshje u arrit në Bruksel, ku pala kosovare dhe ajo serbe u pajtuan për tri pika kyçe:

Njësitet speciale policore të vendosura në pikëkalimet e përbashkëta kufitare në Jarinje dhe Bërnjak, do të largohen bashkë me barrikadat, duke nisur nga 2 tetori, ora 08:00 deri në orën 16:00 të asaj dite. Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, do të angazhohet në këto dy pika në Jarinje dhe Bërnjak, para nisjes së tërheqjes të zyrtarëve policorë dhe barrikadave, dhe do të mbetet aty për dy javë për të garantuar sigurinë.

Nga 4 tetori, do të nisë së zbatuari përkohësisht regjimi i letrave ngjitëse, në vend të heqjes së targave të makinave të regjistruara në Kosovë dhe Serbi, deri në gjetjen e një zgjidhjeje të përhershme.

Më 21 tetor do të nisë punën një ekip i përbërë nga zyrtarë të Bashkimit Evropian, Prishtinës dhe Beogradit për të gjetur një zgjidhje të përhershme. Brenda gjashtë muajve, prej nisjes së takimit të parë, i ashtuquajturi Grup Punues, do të prezantojë gjetjet për një zgjidhje të përhershme në formatin e dialogut të nivelit të lartë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se tani fillon epoka kur Serbia nis e mësohet me reciprocitet, ndërkaq presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq tha se për shtetin e tij “është e rëndësishme” që njësitë speciale të Policisë së Kosovës të tërhiqen nga veriu.

Pas arritjes së marrëveshjes, zëvendësndihmës sekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Gabriel Escobar, tha se ishte e rëndësishme që Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje për situatën në veri.

Escobar, që njëherësh është i dërguari i Departamentit të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, tha se Kosova ka pasur të drejtë të vendosë reciprocitetin, por Washingtoni u befasua me mënyrën e zbatimit të këtij vendimi.

Më 20 shtator, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që shoferët nga Serbia, me të hyrë në Kosovë, t’i ndërrojnë ose mbulojnë targat e tyre dhe të marrin regjistrim të përkohshëm të Kosovës.

/GazetaSinjali/