Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka reaguar me rastin e 12-vjetorit të vrasjes së zyrtarit të Policisë së Kosovës, Enver Zymberi, raporton Gazeta Sinjali.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Krasniqi tha se Zymberi nuk ishte aksidentalisht policor, por sipas tij, uniforma e policisë ishte vetëm mënyra e tij për t’i shërbyer Kosovës me nder e krenari.
Ai shtroi se me të drejtë i ndjeri mban titulli si Heroi i Kosovës së Pavarur.
“12 vjet më parë, në mbrojtje të integritetit territorial dhe sovranitetit të vendit, Enver Zymberi sakrifikoi edhe jetën e tij. Me të drejtë, sot ai është Heroi i Kosovës së Pavarur, guximi dhe vepra e të cilit do kujtohet ndër breza – si shembull i atdhedashurisë dhe profesionalizmit. Enver Zymberi nuk ishte aksidentalisht polic. Për të, uniforma e policisë ishte vetëm mënyra e tij për t’i shërbyer Kosovës me nder e krenari – gjë të cilën e bëri deri në frymën e fundit. Andaj, sot, në këtë Ditë Memoriale, kujtojmë dhe nderojmë jetën dhe veprën e Heroit tonë Enver Zymberi dhe të gjithë Policëve të Rënë në Detyrë”, shkroi Krasniqi.
Enver Zymberi u vra në operacionin e madh të Policisë së Kosovës kundër strukturave kriminale në veri të vendit.
Ai u qëllua nga Strukturat Paralele Ekstremiste Serbe më 26 korrik 2011 në Leposaviq, afër pikës kufitare në Bërnjak, gjatë aksionit për të shtrirë kontrollin e Shtetit të Kosovës në pjesën veriore të vendit, ku kontrabanda kishte shtrirë rrënjët që nga pas-lufta.
Në përvjetorin e 12-të të vrasjes së Zymberit, kampi i Policisë në Mitrovicë, “Belvedere” nga sot do ta marrë emrin “Enver Zymberi”.