image 12 orë pa ujë çdo ditë, banorët e “Bajram Currit” në Prizren protestojnë të hënën

Sociale

12 orë pa ujë çdo ditë, banorët e “Bajram Currit” në Prizren protestojnë të hënën

news image

Banorët e lagjes “Bajram Curri” në Prizren kanë vendosur që të hënën nga ora 13:00 deri në orën 14:00 të protestojnë para zyrave të Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Hidroregjioni”, në këtë qytet, raporton Gazeta Sinjali.

Vendimi i Këshillit të banorëve për protestë erdhi pas shumë kërkesave që ata ia kanë adresuar ujësjellësit për reduktimet e ujit deri në 12 orë në ditë, por për të cilat thonë se nuk morën asnjë përgjigje.

“Siç ju kemi lajmëruar se dhe pas shumë kërkesave dërguar kompanisë ‘Hidroregjioni’, ku kemi kërkuar reduktime proporcionale, asnjë përgjigje deri më tani nuk e kemi pranuar. Andaj, të hënën më datë 10 janar 2021 do të protestojmë para zyrave të kompanisë nga ora 13:00 deri në orën 14:00”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e protestës.

“Ky reduktim 12 orësh dhe me shtypje tepër të ulët e cila as për nevoja elementare nuk mund të kryhen nuk ka ndodhur asnjëherë, tregon që është menaxhimin jo i mirë i kompanisë e cila duhet të ketë përgjegjësi dhe duhet të ngrihet padi për shkelje të të drejtave të njeriut”, thuhet tutje në njoftim.

Banorët kanë paralajmëruar se protesta do të jetë paqësore.

Gazeta Sinjali në vazhdimësi ka raportuar për reduktimet e shpeshta dhe të gjata të ujit me të cilat përballen banorët e kësaj lagjeje./GazetaSinjali/