12 minatorë kanë mbetur të lënduar si pasojë e derdhjes së acidit në Minierën e Trepçës. Të lënduarit janë transportuar me urgjencë drejt Emergjencës së Spitalit Rajonal në Mitrovicë, ku kanë marrë ndihmën e nevojshme mjekësore, raporton Gazeta Sinjali.
Rastin e ka konfirmuar edhe ndërrmarja “Trepça”, e cila tha se rasti ka ndodh sot rrreth orës 12:35, në horizontin e XI
“Sot me datë 17.01.2024, në minierën e Stantërg-ut në ora 12:35 h, në horizontin e XI, ka ndodhur një aksident gjatë pastrimit të gypave të pompave me acid sulfurik. Gjatë mirëmbajtjes së gypave ka ndodhur rrjedhje e acidit sulfurik nga bombola, me ç ‘rast janë lënduar 12 punëtorë të minierës së Stantërg-ut”, thuhet në njoftim, shkruan Gazeta Sinjali.
“Ekipet shpëtuese të minierës në krye me Udhëheqësin e Njësisë Biznesore z. Bahri Karaqa kanë reaguar me shpejtësi për evakuimin e punëtorëve të lënduar nga miniera dhe dhënien e ndihmës së parë duke vazhduar me trajtim të mëtutjeshëm në Spitalin Rajonal të Mitrovicës”.
“Nga stafi i mjekëve kompetent u njoftuam se gjendja e punëtorëve të lënduar është në përmirësim e sipër, tetë prej tyre janë me lëndime më të lehta të cilët po marrin trajtimin mjekësor në emergjencë dhe dy prej tyre janë me lëndime më të rënda por të mjekueshme të cilët po marrin trajtimin mjekësor në qendrën e oftalmologjisë në Spitalin Rajonal të Mitrovicës”, thotë njoftimi i Trepçës.
Më herët, zëdhënësja e Spitalit, Nita Mustafa, ka dhënë detaje për gjendjen shëndetësore vetëm për shtatë nga të lënduart, teksa e njëjta ka bërë të ditur se ndërkohë edhe disa minatorë tjerë kanë kërkuar ndihmë mjekësore.
“Shtatë minatorë janë sjellë në Emergjencën e Spitalit Rajonal në Mitrovicë, pasi të njëjtit kanë pësu lëndime si pasojë e derdhjes së acidit. Pesë nga ta janë ende në trajtim në Emergjencë, ndërsa dy janë pranu në Repartin e Oftamologjisë për trajtim të mëtutjeshëm.
Ata që janë pranu në Repartin e Oftamologjisë, kanë lëndime në sy dhe janë në gjendje goxha të rëndë, rreth problemeve me sy, tjerët kanë dhimbje gjoksi, problem me frymëmarrje, djegie të fytit për shkak të atij acidit që është derdhë në Minierë”, tha Mustafa për Gazetën Sinjali.