image 11 punonjësve serbë e boshnjakë të Doganës u ndalen pagat pas dorëheqjeve

Politikë

11 punonjësve serbë e boshnjakë të Doganës u ndalen pagat pas dorëheqjeve

news image

Dorëheqja e 11 punonjësve të nacionalitetit serbë e boshnjakë të punësuar në pikë kalimet kufitare në Jarinje dhe Bërnjak, është duke u shqyrtuar nga zyrtarët e Doganës së Kosovës dhe së shpejti pritet të merret vendimi, raporton Gazeta Sinjali.

9 doganierë  prej tyre 7 serbë e 2 të nacionalitetit boshnjak  dhe 2 punëtorë tjerë  kishin dhënë dorëheqje me 10 nëntor të këtij viti, pas vendimit të Listës Serbe që të gjithë serbët në veri duhet t’i braktisin institucionet Kosovës si shkak i heqjes së targave ilegale dhe mos themelimit të Asociacionit të Komunave Serbe.

Ata kishin dorëzuar dorëheqjet e tyre tek shefi i ndërrimit në Jarinje dhe të cilat shkresa janë përcjell tek zyra qendrore e Doganave të Kosovës në Prishtinë.

Drejtori i Përgjithshëm i Doganës së Kosovës Agron Llugaliu, tha për Gazetën Sinjali,  se dorëheqjet e 9 doganierëve, prej të cilëve 7 serbë dhe 2 të etnisë boshnjake dhe 2 staf mbështetës janë duke u shqyrtuar nga zyrtarët përgjegjës së Doganës së Kosovës.

Llugaliu theksoi se kanë bërë zëvendësimet dhe nuk ka mungesa të punonjësve në dy pikë kalimet kufitare në Bërnjak e Jarinje dhe situata në pikat kufitare është normale.

“Ata kanë dhënë dorëheqje, jemi duke i shqyrtuar se a ka nevojë për proces diciplinor apo t’iu konfirmohet dorëheqja”, tha Llugaliu.

Drejtori i Doganave më tej theksoi se të dorëhequrit nuk do të marrin paga nga momenti kur kanë paraqitur zyrtarisht dorëheqjen.

/GazetaSinjali/