Dashuria e një gruaje nga shteti amerikan Maine për peshkaqenët i ka siguruar asaj një vend në Librin e Rekordeve Guinness.
Emily Morrison, biologe e peshkaqenëve dhe pronare e një kompanie që organizon ture zhytjeje për kërkimin e fosileve, është shpallur personi me numrin më të madh të tatuazheve të peshkaqenëve në trup.
Gjatë numërimit zyrtar të zhvilluar në muajin maj, organizata Guinness konfirmoi se Morrison ka gjithsej 106 tatuazhe të ndryshme peshkaqenësh.
E njohur edhe si “Zonja e Peshkaqenëve Emily”, ajo tregoi se interesimi i saj për këto kafshë nisi fillimisht nga frika, pasi në moshën tetëvjeçare kishte parë filmin “Jaws”.
Megjithatë, babai i saj e kishte nxitur të hulumtonte më shumë për peshkaqenët, çka bëri që frika të shndërrohej në pasion.
Morrison ka treguar se gjatë karrierës së saj ka ushqyer peshkaqenë tigër dhe peshkaqenë çekiç në Bahamas, ka realizuar zhytje në kafaz pranë peshkaqenëve të bardhë në Australi dhe ka notuar me peshkaqenë balenë në brigjet e Meksikës.
Ajo pritet të jetë pjesë e emisionit special “My Strange Shark Addiction”, në kuadër të programit vjetor “Shark Week” të Discovery Channel.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!