Shpend Ahmeti ka përmendur emrat e 10 deputetëve aktual të PSD-së që do të jenë kandidatë edhe për legjislaturën e ardhshme.
Ahmeti ka përmendur emrat e Visar Ymerit, Dardan Molliqajt, Dardan Sejdiut, Driton Çaushit, Shqipe Pantinës, Dukagjin Goranit, Faton Topallit, Sali Salihut, Besa Baftiut dhe Aida Dërgutit. Por, ai nuk ka përmendur emrat e Fisnik Ismailit dhe Frashër Krasniqit, si kandidatë të mundshëm për deputetë edhe pse ka thënë se u ka propozuar të gjithëve të garojnë në zgjedhje.
Kryetari i PSD-së gjithashtu tha se brenda javës së ardhshme PSD do të prezantojë edhe aderime të reja të disa kandidatëve që kanë qenë në politikë e disa tjerëve që nuk kanë qenë të përfshirë në politikë.
Ai ka thënë në Debat Plus të RTV Dukagjinit, se me përjashtim të një apo dy deputetëve aktual, tjerët do të jenë në listën e PSD-AAK, ku PSD do të ketë 25 vende.