image ​Merkel paralajmëron: Jemi pranë humbjes së kontrollit

Evropë

​Merkel paralajmëron: Jemi pranë humbjes së kontrollit

news image

Angela Merkel ka paralajmëruar se Gjermania është shumë pranë humbjes së kontrollit ndaj koronavirusit, transmeton Gazeta Sinjali.

Ajo iu tha kolegëve të saj nga CDU këtë mëngjes se situata është alarmante.

Në takimin e CDU-së, ku edhe u vendos që të shtyhet kongresi i partisë pikërisht për shkak të krizës së COVID, kancelarja paralajmëroi për muaj shumë të rëndësishëm përpara.

Të premten, ajo do të mbajë një takim me liderët e 16 landeve ku pritet edhe të bien dakord për kufizime më të ashpra në shkallë kombëtare krahasuar me ato që janë në fuqi.

Merkel ndërkohë e shfrytëzoi podcast-in e saj të përjavshëm, në fundjavë, për të insistuar sërish se njerëzit nuk janë të pafuqishëm për të kontrolluar virusin dhe u bëri apel atyre të reduktonin kontaktet pasi kjo ishte masa më efikase për ta luftuar atë.

Jens Spahn, ministri i Shëndetësisë që është në karantinë pasi rezultoi pozitiv, në një video-mesazh, i bëri apel gjermanëve të mos besojnë ata që po përpiqen të minimizojnë ashpërsinë e virusit duke shtuar se sistemi shëndetësor i vendit ishte në rrezik nëse numri i rasteve të reja nuk do të mbahej nën kontroll.

Autoritetet në Berlin ndërkohë kanë thënë se ata nuk po munden më të ndjekin dhe gjurmojnë kontaktet e të infektuarve për shkak të mungesës së burimeve dhe se do të bazoheshin te përgjegjësia e vetë të infektuarve për t’u vendosur në izolim dhe për të kontaktuar njerëzit me të cilët kanë qenë në kontakt. /Gazeta Sinjali/