KMDLNJ kërkon nga Qeveria e Kosovës mjete shtesë për Shërbimin Korrektues të Kosovës në mënyrë që të përmirësojë kushtet higjienike dhe ta begatojë menynë ushqimore me artikuj të domosdoshëm, si pjesë e situatës së krijuar me koronavirus në vendin tonë.
Në një komunikatë për media KMDLNJ kërkon nga Ministria e Drejtësisë të shqyrtojë mundësinë që personat e dënuar që nuk paraqesin rrezik për siguri të lejohen të qëndrojnë në shtëpi deri më 27 mars 2020.
“Institucionet e Kosovës, presidenti apo Ministria e Drejtësisë, me një vendim të jashtëzakonshëm mund të lirojnë një numër të të dënuarve që kanë plotësuar kushtet për lirim të parakohshëm, pa e rrezikuar sigurinë e vendit apo rritur shkallën e recidivizmit”.
KMDLNJ përkrah masat e Qeverisë së Kosovës për të mbrojtur shëndetin e personave të privuar nga liria dhe stafit korrektues si dhe oficerëve, por kërkon masa shtesë për përmirësimin e kushteve në qendrat e ndalimit policor pasi ato nuk përmbushin kushtet e nevojshme higjienike.
“Duhet të ketë kontrolle më të shtuara mjekësore, dezinfektimi i hapësirave ku mbahen të ndaluarit dhe ku punon stafi. Në rast të përkeqësimit të situatës, masa e ndalimit policor duhet të shqiptohet si masë e skajshme dhe duhet të zëvendësohet me një masë tjetër. Qendrat e ndalimit policor nuk i plotësojnë kushtet higjienike – sanitare për emergjenca sikur kjo me koronavirus, andaj seriozisht mund të rrezikohet shëndeti i gardianëve dhe stafit civil, kurse në masë më të madhe mund të rrezikohet shëndeti i personave të privuar nga liria”, thuhet në komunikatë. /Gazeta Sinjali/