image ​IPK nis hetimet ndaj rastit "Truprojat e Thaçit", nga janari janë suspenduar 26 punonjës policorë

Drejtësi

​IPK nis hetimet ndaj rastit “Truprojat e Thaçit”, nga janari janë suspenduar 26 punonjës policorë

news image

Ushtruesi i detyrës së kryeshefit të Inspektoratit Policor të Kosovës, Exhevit Zuka u ballafaqua me anëtarët e Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes.

Gjatë raportimi ai foli edhe për hetimet rreth zyrtarëve policorë që u përfshinë në incidentin në oborrin e Kuvendit të Kosovës, derisa presidenti, Hashim Thaçi po mbante konferencë dhe një aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje iu ishte drejtuar duke e quajtur “hajn”.

Po ashtu Zuka foli edhe për shumë çështje të tjera brenda IPK-së me ç’ rast njoftoi se brenda këtij viti janë suspenduar 26 zyrtar policorë.

“Ne si IPK në momentin e parë që e kemi parë që është publikuar në medie në mënyrë të menjëhershme ia kam dërguar drejtorit të hetimeve dhe nga i njëjti kemi kërkuar që të fillojmë dhe t’i ndërmarrë veprimet. Hetuesit tanë pa hezitim dhe shumë shpejt i janë përgjigjur rastit kur ka ndodhur në vendin e ngjarjes, ku ka qenë edhe Prokurorja e rastit, gjegjësisht kryesuesja e Departamentit të Përgjithshëm të Hetimeve të Prokurorisë Themelore në Prishtinë. Ju e dini që misioni jonë ose hetimet që ne i zhvillojmë në kuadër të autorizimeve që i pranon prej Prokurorit të Shtetit. Në njëfarë forme ne jemi argat në rastin kur ai është në vend të ngjarjes. Ne të gjitha veprimet i kemi ndërmarrë me autorizim të Prokurorit të Shtetit. Atë ditë Prokuroria e Shtetit ka hezituar, ne i kemi ndërmarrë veprimet, mirëpo epilogu është që ne zyrtarët policorë i kemi intervistuar si persona të dyshuar edhe personin tjetër truprojë që është jashtë Policisë së Kosovës edhe ai është i intervistuar si person i dyshuar”, tha ai.

Zuka njoftoi se kanë marrë të gjitha pamjet e incidentit nga kamerat e objektit të Kuvendit të Kosovës dhe janë duke i analizuar ato si IPK.

Lidhur me rastin në fjalë deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi u interesua të marrë informacione për numrin e personave që janë duke u hetuar. Por me kërkesë të zyrtarëve të IPK-së ato u dhanë pa praninë e mediave, pasi ata vlerësuan se mund të dëmtohet procesi hetimor./Gazeta Sinjali