image ​Haradinaj-Stublla: Kërcënimet hibride ruse dhe serbe janë rrezik për rajonin

Kosovë

​Haradinaj-Stublla: Kërcënimet hibride ruse dhe serbe janë rrezik për rajonin

news image

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla, sot mori pjesë në konferencën e Koalicionit të Lirisë së Mediave, i cili u mbajt në nivel ministror, ku shprehu domosdoshmërinë për ndërmarrjen e veprimeve të përbashkëta kundër kërcënimeve hibride, siç janë dezinformimi dhe veprimet e lajmeve të rreme, shkruan Gazeta Sinjali.

Ministrja Haradinaj-Stublla ngriti problemin që ka rajoni i Ballkanit Perëndimor me lajmet hibride, para një paneli të zgjedhur ministrash e ekspertësh të njohur të fushës.

Të pranishëm ishin ministri i Jashtëm i Kanadasë, François-Philippe Champagne, Sekretari i Shtetit për Punët e Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, Dominic Raab, Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Heiko Maas, Ministri i Jashtëm i Zvicrës, Ignazio Cassis dhe Ministri i Jashtëm i Holandës Stef Blok.

Ajo tha se Kosova është një shënjestër e vazhdueshme e një vale masive dezinformimi dhe lajmesh të rreme, të nxitura nga aktorë të huaj në përpjekjet për të ndikuar në debatin e brendshëm dhe rajonal.

“Përmes lajmeve të rreme synohet të luhet me ankthet dhe emocionet e njerëzve duke rrezikuar mjedisin e qëndrueshëm të sigurisë në Kosovë dhe qetësinë publike. Pandemia Covid19 ka lejuar më shumë terren dhe hapësirë që ky synim destruktiv të përparojë me një ritëm alarmant”, u shpreh ajo, duke shtuar se “informacioni i rremë dhe mashtrues, i sponsorizuar nga Rusia dhe Serbia, kryesisht rreth dialogut Kosovë – Serbi dhe zhvillimeve gjeopolitike në Ballkanin Perëndimor, po synon të dëmtojë kohezionin etnik dhe është kundërproduktiv ndaj përpjekjeve të SHBA-ve dhe BE-së për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare për njohje reciproke, në kufijtë ekzistues”.

Sipas një komunikate të MPJ-së, ky ishte takimi parë në nivel ministror i Koalicionit të Lirisë së Medias, i përbërë nga një grup prej 37 vendesh ku Republika e Kosovës është anëtare e plotë dhe e barabartë. /Gazeta Sinjali/