image ​Haradinaj: Nuk do ia japim dosjet Speciales pa praninë e gjykatave tona ose policisë

Kosovë

​Haradinaj: Nuk do ia japim dosjet Speciales pa praninë e gjykatave tona ose policisë

news image

Nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Nasim Haradinaj, ka thënë se janë duke pritur që sot në zyrat e kësaj organizate të vijnë zyrtarë të Dhomave të Specializuara për t’i marrë dosjet e pranuara mbrëmë nga kjo organizatë, të cilat pretentojnë që janë dokumente të Gjykatës Speciale.

Por, Haradinaj ka thënë se këto dosje nuk do ua dorëzojnë atyre pa praninë e gjykatës apo Policisë së Kosovës.

Ai tha se mbrëmë rreth orës 18:40, është kontaktuar sekretari i OVL-UÇK-së, Faton Klinaku, nga i cili zyrtarët e Dhomave të Specializuara, kanë kërkuar që t’i marrin dosjet e pranuara dje.

“Sipas thirrjes që kanë bërë sekretaritë tanë pas orës 18:40 minuta që kanë kërkuar dosjet njerëzit e autorizuar të Dhomave të Specializuara dhe kanë kërkuar që mbrëmë të dorëzohen. Sekretari ia ka bërë të ditur vendimin e organizatës. Ne kemi marrë vendim sepse në fund të fundit këtë gjykatë nuk e njohim. Përveç që nuk e kemi njohur nga fillimi, tash për ne (kjo gjykatë) është e kaduar, e dalne afati, e bërë bajat. Por edhe me të vërtetë është është vërtetuar edhe që është e krymur me helme nga aparati shtetëror i Millosheviqit. Ne nuk do i japim dosjet pa praninë e gjykatave tona ose të paktën të Policisë tonë. Ne po presin se ata duhet me ardhë, zakonisht vijnël dhe aq më tepër e kanë marrë një material dhe nuk janë prononcuar për të treguar të paktën a është origjinal apo nuk është. Ndërkohë, sekretarit i thonë se janë materiale sensitive. A është sensitiv apo nuk është senitiv është dashur të përkujdesën ata që të mos u rrjedhin prej zyrave të tyre”, tha ai.

Haradinaj tha se këto dosje përmbajnë vetëm mall të “çetnikëve serbë”.

Sipas tij, serbët që urdhëruan kryerjen e krimeve në Kosovë po tentojnë të pastrohen.

“Duke i marrë ata si dëshmitarë validë për dëshmi, po i pastrojmë prej krimeve dhe po i vendosim si bashkëpunëtorë dhe po i qesin qytetarë të denjë, po bëhen dy padrejtësi. Ata po pastrohen, kurse ne që e patëm luftën e imponuar na shpallin kriminelë”, theksoi Haradinaj.

Gjatës ditës së djeshme në Organizatën e Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës një person i panjohur i ka dorëzuar edhe një seri dosjesh tjera që pretendohet se përfshijnë dokumente nga Gjykata Speciale. Këso lloj dosjesh janë dërguar në zyrat e OVL-UÇK-së edhe gjatë javës së kaluar, por këto dokumente u morën nga zyrtar të Dhomave të Specializuara./Gazeta Sinjali/