Jakup Ismaili, dëshmitari i tretë i mbrojtjes së Salih Mustafës, ka treguar para trupit gjykues në Hagë për periudhën kur është takuar më Mustafën në fundin e marsin dhe fillimin e prillit të vitit 1999.
Ismaili ka thënë se me Mustafën kanë biseduar rreth planeve për të furnizuar me ndihma humanitare civilët shqiptar.
Ismaili ishte pjesë e Këshillit të Emergjencave, organizatë kjo që merrej me ndihma humanitare por sipas tij me fillimin e bombardimeve këshilli ka dalë jashtë funksionit.
“Forcat ushtarake policore paramilitare e kanë bërë dëbimin e popullatës dhe për shkak të represionit dhe dhunës popullata u detyrua të shpërngulet nga Kosova, për në Maqedoni dhe pjesë të fshatrave të rrethinës së Prishtinës. Gjithë aktiviteti i Këshillit të Emergjencës ra poshtë, nuk ka qenë e mundshme me funksionu. Ne u detyruam, popullata bashkë me ne, gradualisht të bëjmë plane me u shpërngulë nga Prishtina. Ne aktivistët të shpërngulemi në pjesë të fshatrave, e popullata të shpërngulet në Maqedoni e fshatra të ndryshme. Ashtu u bë dëbimi, dëbimi u bë me dhunë”, ka thënë dëshmitari.
Sipas tij, largimi nga Prishtina ka ndodhur më në mes të 24 dhe 25 marsit të vitit 1999.
Ai ka thënë se ka vazhduar për në Hajvali e pastaj në fshatin Mramor ku sipas tij ka synuar të gjejë një organizim të ri për shpërndarjen e ndihmave humanitare.
Pas fshatit Mramor, Ismaili ka deklaruar që bashkë me Sabit Krasniqin ka shkuar në Butovc.
Aty ka thënë se është takuar me Salih Mustafën.
Sipas tij, takimi i parë ka qenë në fund të muajit mars por që nuk ka pasur komunikim të drejtpërdrejt me të.
“Takimi i parë (me Mustafën) ka ndodhur në Butovc, jo të shtëpia e Mutafë Sopit, ka ndodhur të familjari i Sabit Krasniqit, ka qenë mjek. Unë personalisht aty nuk kam pasur kontakt direkt personal ,por udhëzimet për me shku të këshilli i emergjencës dhe ku janë të vendosur personat Këshillit të Emergjencës të Mustafë Sopi në Butovc janë marrë nga Salih Mustafa. Unë direkt nuk kam pasur kontakt në atë moment, por ka qenë aty”, ka thënë dëshmitari.
Sipas tij nga Mustafa kanë marrë udhëzime për takimin me këshillin tjetër të emergjencave që ndodhej në pjesën tjetër të Butovcit në shtëpinë e Mustafë Sopit.
Dëshmitari ka thënë se në atë shtëpi janë organizuar rreth planit strategjik për të ndihmuar civilët.
“Pas këtij takimi kanë qenë takime të tjera, mandej kur kemi shkuar jemi stabilizuar të shtëpia e Mustafë Sopit, kemi filluar me bë organizimin për ndihma humanitare dhe kemi filluar me vepru konkretisht për ndihma humanitare për popullatën e zhvendosur, mandej aty ka ardhur te Mustafë Sopi dhe unë nuk kam qenë aty prezent. Unë kam qenë me një pikë ku është dashur të jem i pozicionuar, për shkak se forcat serbe ishin shumë afër dhe ishte një pikë shumë strategjike dhe është dashur të jem aty për me përcjellë situatën se kishim frikë që në momente të caktuara do të ketë ndonjë ofensivë”, ka thënë ai.
Ismaili ka thënë se ishte pozicionuar në një rrugë e cila frekuentohej nga forcat serbe dhe se kishte për detyrë të mbante të informuar pjesën tjetër të grupit.
“Salih Mustafa në atë takim ku ne kemi qëndruar, ne kemi pasur biseda vetëm për plane strategjike, si me vepru dhe si me hy në Prishtinë me furnizu popullatën civile me armatim, me barna dhe furnizime të tjera”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se gjatë kësaj periudhe e ka takuar Salih Mustafën disa herë, e sipas tij bëhet fjalë për javën e parë të prillit të vitit 1999.
“Ka qenë fillimi i prillit, 7-8, fillimi i prillit ka qenë takim formal që unë nuk kam marrë pjesë, takimin e dytë ka shkuar 7-8 ditë, planet për me hy në Prishtinë, planet operative si me i tërheq barnat ka qenë diku përafërsisht mbas 7-8 dite, ka qenë fillimi i prillit”, ka thënë Ismaili, shkruan KP.
Duke ju përgjigjur avokatit mbrojtës, Ismaili e ka përshkruar Salih Mustafën me një veshje jo të veçantë, jelek gjuetie dhe rroba të tjera civile.
Ai ka thënë se nuk ka dalluar ndonjë emblemë në rrobat e tij.
Jakup Ismaili është dëshmitari i tretë i mbrojtjes në gjyqin ndaj Salih Mustafës, i cili është arrestuar më 24 shtator të vitit të kaluar, me pretendimin për krime lufte.
Sipas Dhomave të Specializuara “Aktakuza e konfirmuar përcakton se afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe 19 prillit 1999, në një kompleks ndalimi në Zllash, Kosovë, u kryen krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave. Gjithashtu, në aktakuzë thuhet se në një datë midis 19 prillit 1999, ose rreth kësaj date, dhe rreth fundit të prillit 1999, në atë vendndodhje u vra një i ndaluar”.
Salih Mustafa po qëndron në qendrën e paraburgimit në Hagë ndërsa në deklarimin e tij para trupit gjykues ai është deklaruar i pafajshëm.