Gjatë seancës së sotme në Kuvendin e Kosovës, deputetja boshnjake, Duda Balje ka deklaruar sërish se është kundër ndryshimeve në Kodin Civil, i cili do t’iu hapte rrugë martesave mes personave të së njëjtës gjini.
Ajo ka deklaruar se edhe pse është kërcënuar që nuk e mbështet këtë kodë prapë thotë se do të vazhdojë të flasë atë që e mendon pasi “liria e fjalës është e garantuar”.
Deputetja tha se deri më tani iu është thënë se nëse nuk bëhen ndryshimet e tilla Kosova nuk do të mund të anëtarësohet në Bashkimin Evropian.
“Ne jemi kundër këtyre ndryshimeve dhe kemi arsyet tona pse jemi kundër. Mendoj se shumica e deputetëve janë kundër. Nuk është e vërtet që nëse nuk i miratojmë këto ndryshime nuk futemi në BE. Kjo nuk është e vërtet”.
Deputetja Duda Balje tha se përkrah pesë librat e Kodit Civil, por jo edhe nenin ku flet për bashkëjetesën e personave të gjinisë së njëjtë.