Ministrja në detyrë e MASHTI-t, Hykmete Bajrami ka bërë të ditur se deri më tash në objektet e Qendrës së Studentëve, e cila është shndërruar në karantinë, kanë qëndruar rreth 500 qytetarë, shumica e të cilëve pas testimeve për COVID-19, kanë dalë negativë.
Në një postim në Facebook, Bajrami shkruan se në pjesë e madhe e tyre tashmë u janë kthyer familjeve të tyre dhe po vazhdojnë izolimin 14 ditor në shtëpitë e tyre.
“Uroj që edhe të tjerët që janë duke qëndruar ende në këtë qendër të rezultojnë negativ dhe sa më shpejtë të kthehen shëndosh e mirë në shtëpitë e tyre”, ka thënë Bajrami.
Ajo falënderon menaxhmentin e Qendrës së Studentëve dhe stafin profesional mjekësor të angazhuar në këtë qendër për përkujdesjen e treguar ndaj personave të vendosur në karantinë, teksa apelon qytetarët të respektojnë rekomandimet e IKShPK dhe të qëndroj në në shtëpitë e tyre, pasi në këtë mënyrë vendi do të përballet më lehtë me pandeminë COVID-19.
Ndryshe, në muajin e kaluar, me vendim të Qeverisë së Kosovës, Qendra e Studentëve, është vënë në shërbim të Ministrisë së Shëndetësisë për të shërbyer si karantinë për qytetarët e kthyer nga vendet tjera. /Gazeta Sinjali/