image ​Mungesa e kryeministrit në seancë përplasë deputetin e PDK-së me zëvendëskryeministrin - Sinjali

​Mungesa e kryeministrit në seancë përplasë deputetin e PDK-së me zëvendëskryeministrin

news image

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovë, Uran Ismaili ka adresuar një varg kritikash për kryeministrin Avdullah Hoti në lidhje me trajtimin e çështjes së të pagjeturve. Ai e vlerësoi edhe si neveritëse mungesën e kreut të qeverisë në interpelancën ku është thirrur për të raportuar për këtë temë. Por qeveritarët e arsyetuan atë se është në një takim virtual me presidentin e Francës, Emmanuel Macron, shkruan Gazeta Sinjali.

Ish-ministri gjatë seancës së sotme, tha se është e çuditshme indiferenca e kryeministrit dhe qeverisë për të pagjeturit, derisa në Serbi po gjenden varreza masive të shqiptarëve të vrarë gjatë luftës së fundit.

“Çka është e çuditshme është indiferenca e kryeministrit dhe qeverisë, kjo na bënë me u çuditur. Se ku gjendet Serbia nuk kam nevojë askujt me i tregu në këtë parlament, e as një prej qytetarëve tanë. Po ku gjendet Qeveria e Kosovës, ku gjendet kryeministri, ku janë ministrat tjerë, çfarë ofensive diplomatike kemi fillu”, tha Ismaili.

“Gjendet varrezat masive në Serbi, si shërbehet kjo çfarë shteti është ai, kuptoni se mund të përdoret për rehabilitimin e tyre, shikoni ne po i nxjerrim ata ishin, një serbi e kaluar. Këtu bini në kurth duke mos nxjerr faktet se edhe sot Serbia tenton të fsheh varrezat masive që i ka. Është neveritëse paralizimi, heshtja e qeverisë së Kosovës dhe kryeministrit Avdullah Hoti dhe është neveritëse mungesa e tij. Kam takim në ora 12:00 interpelanca është tri orë, eja ose kërko të shtyhet”, tha ai.

Por atij i reagoi, zëvendëskryeministri Driton Selmanaj i cili sqaroi mungesën e shefit të tij në seancë.

“Nuk pajtohem aspak me të gjitha kontestimet e deputetit që foli. Është hera e dytë që për një periudhë të shkurtër kemi ardh në Kuvend për të diskutuar për këtë temë. Është hera e tretë që kemi raportuar në komisionin parlamentar për këtë çështje. Qeveria është e gatshme që sa herë kërkohet të vijë këtu, por unë po iu informojë se mungesa e kryeministrit është se prej orës 12:00 deri tash kur po flasim është në një takim virual me presidentit Makron. Mungesa e tij është për këtë arsye”, tha ai.

/Gazeta Sinjali/


Shpërndaje artikullin