Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, i shoqëruar nga sekretari i përgjithshëm, Bilall Sherifi, ka pritur në takim njoftues shefin e ri të Zyrës së BE-së, njëherësh përfaqësuesin special të BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, të cilit i ka dëshiruar suksese në misionin e tij.
Në këtë takim është diskutuar për zhvillimet aktuale në vend, me theks të veçantë liberalizimin e vizave për Kosovën dhe dialogun Kosovë-Serbi.
Limaj tha se integrimet evropiane janë përcaktimi dhe orientimi ynë si vend. Ai ka ngritur çështjen e zvarritjes së liberalizimit të vizave, duke shprehur pakënaqësinë me vonesën e panevojshme në këtë proces.
Po ashtu ai ka thënë se pret nga BE që t’i mbajë fjalët dhe t’i liberalizojë vizat për qytetarët e Kosovës, në mënyrë që të rinjtë tanë të lëvizin lirshëm në kryeqendrat evropiane.
Sa i përket dialogut me Serbinë, kryetari Limaj tha se nevojitet një agjendë e qartë me kohë të caktuar, në mënyrë që të arrihet deri te marrëveshja përfundimtare me njohje reciproke mes dy vendeve.
Nga ana e tij, Szunyog u shpreh i gatshëm për bashkëpunim të ngushtë me institucionet e Kosovës në agjendën e integrimit evropian, forcimin e sundimit të ligjit, si dhe për të tejkaluar sfidat që ka sjellë pandemia COVID-19 në fushën e ekonomisë. /Gazeta Sinjali/