Me 69 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, është vendosur për emërimin e anëtarëve të Këshillit Kombëtar të Shkencës.
Pasditen e sotme, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë votuar për përbërjen prej 15 anëtarëve të KKSh-së.
Anëtarët e Këshillit Kombëtar të Shkencës janë: Fetah Podvorica, Mihone Kerolli-Mustafa, Ardian Gojani, Muzafere Krasniqi-Limani, Ardian Morina, Zanfina Ademi, Fisnik Kurshumliu, Bajram Berisha, Hysen Bytyqi, Alirizah Aranliu, Gazmend Qorraj, Armend Tahirsylaj, Serdan Kervan, Majlinda Bregasi dhe Arbnora Dushi.
Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci tha se personat e propozuar për anëtarë të Këshillit Kombëtar të Shkencës janë hulumtues të të gjitha fushave.
“Këshilli Kombëtar i Shkencës përbëhet prej 15 anëtarëve, të cilët i emëron Kuvendi me propozimin e Qeverisë, me një mandat prej katër vjetësh. Në Këshillin Kombëtar të Shkencës, sipas ligjit, duhet të sigurohet përfaqësimi adekuat i institucioneve kërkimore-shkencore, i fushave prioritare të shkencës dhe i autoriteteve të shkencore. Detyrë kryesore e Këshillit Kombëtar të Shkencës është hartimi i programit kombëtar të shkencës, i cili paraqet dokumentin bazë për financimin e punës kërkimore shkencore në Kosovë. Ndonëse është obligim ligjor, Kosova nuk ka Këshill Kombëtar të Shkencës prej qershorit 2011, edhe pse ka qenë obligim ligjor i qeverisë në atë kohë që gjashtë muaj para përfundimit të mandatit”, ka thënë ajo.
Nagavci tha se nga 15 emrat e propozuar, 10 kanë qenë të propozuar nga institucionet dhe pesë nga Ministria e Arsimit. Mandati i të emëruarve të Këshillit Kombëtar të Shkencës është katërvjeçar. /GazetaSinjali/