Kryetari i OVL të UÇK-së Hysni Gucati ka reaguar ashpër ndaj deklarimeve të kreut të Mitrovicës Agim Bahtiri për vëllavrasje dhe trazira në vend, duke thënë se paraqitjet e tilla janë metoda të vjetra të argatëve të Serbisë.
Ai në një postim në Facebook shkruan se Agim Bahtiri pas këtij kërcënimi publik ka llogaritur edhe në aleancat e Serbisë, klaneve të krimit të organizuar që veprojnë në Mitrovicën e Veriut, mafisë dhe BIA-së.
“Agim Bahtiri në paraqitjet e tij para opinionit publik, ka bërë deklarime që shkojnë në dëm të vendit, të progresit dhe pavarësisë së Kosovës. Paraqitjet e tilla, janë metoda të vjetra të argatëve të Serbisë, thirrjet për vëllavrasje kanë qenë aduti i fundit që Serbia e ka përdorur në momente të caktuara historike. Deklarimet e Agim Bahtirit ishin paraqitje publike për frikësimin e opinionit kosovar dhe kërcënime direkte të presid entit Thaçi. Sigurisht se Agim Bahtiri pas këtij kërcënimi publik ka llogaritur edhe në aleancat e Serbisë, të klaneve të krimit të organizuar që veprojnë në Mitrovicën e veriut, mafisë së organizuar dhe strukturave të BIA-së”, thuhet në reagim.
“Ndoshta Agimi nuk e dinë se Serbia e ka humbur luftën dhe betejën më Kosovën. Policia dhe organet tjera të sigurisë të Shtetit të Kosovës, sa herë që kanë dashtë ua kanë treguar vendin strukturave paralele dhe qarqeve të strukturave paralele të shtetit serb që veprojnë në veri e në disa enklava tjera. Ti e dinë, por edhe ne e dimë, që ti nuk je kryetari i Mitrovicës. Kur ke ardhur aty ke qenë koncensual dhe nuk përfaqëson asgjë. Që kur je aty, kurrë kush, asnjë qytetar nuk ta ka pa hairin. Je kryetar gjysmak, sepse sundon një pjesë të Mitrovicës, kurse atë pjesën tjetër e ke për biznes. Paraqitja juaj, jo vetëm në këtë rast por në të gjitha rastet, ta japë përshty pjen e një personi të sëmurë nga skizofrenia. Jo këtë herë, por me qindra herë, gjerë më tani kanë ardhur kërcënime nga veriu i Kosovës, dhe klanet e mbeturinave paramilitare të ish-pushtetit të Millosheviqit dhe të pasuesve të tij, por në të gjitha rastet, janë parë rezultatet”, thuhet më tej në reagim.
Për më tepër, Hysni Gucati qasjen e kryetarit Bahtiri e krahason me atë të mbeturinave paramilitare të ish-pushtetit të Millosheviqit, dhe pasuesve të tij, duke theksuar se ai dhe shokët e tij janë duke pritur kthimin e Serbisë në Kosovë, gjë e cila nuk do të ndodhë asnjëherë.
“Mos bëni punë koti z.Agim Bahtiri se Serbia kurrë nuk ka më kthye më në Kosovë. Jemi në dijeni edhe për aleancat e fshehta të juve disave më strukturat ruse e serbe, aleanca këto që e kanë filluar punën më herët, por tash së fundi, kanë filluar t’u duken koka e këmbët. Këto aleanca janë fatale për popullin tonë dhe Kosovën , prandaj ju të parët do të jeni pjesë e këtyre dështimeve. Janë marrë masat dhe është gjetur antivirusi i këtyre aleancave, prandaj edhe nuk keni njerëz të kësaj natyre pas vete. E dimë fare mirë se kush fshihet prapa militantizmit tuaj, se kush po të trimëron për t’u paraqitur me kërcënime vëllavrasëse që kanë qenë brenga jonë më e madhe ndër shekuj. Mos harro se të gjithë ata që e kanë bërë punën e huaj kanë përfunduar në karantinë. Të gjitha këto janë tendenca dhe orvatje për ta zbehur lirinë dhe sovranitetin e Kosovës, ky është projekt i Serbisë. Prandaj, Agim, mos e bëj punën e Serbisë, sepse herët a vonë do të pendohesh”, përfundon reagimi Gucatit. /Gazeta Sinjali/