image ​Guvernatori i BQK-së: Sivjet rritja ekonomike 6.6 për qind, sfidë anëtarësimi në Kartonin e Gjelbër - Sinjali

​Guvernatori i BQK-së: Sivjet rritja ekonomike 6.6 për qind, sfidë anëtarësimi në Kartonin e Gjelbër

news image

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti, bën të ditur se parashikimet e BQK-së janë që norma e rritjes ekonomike për sivjet të jetë 6.6 për qind.

Derisa thotë se lehtësimi i masave anti-COVID që ndodhi gjatë vitit 2021, bëri që të ketë një rritje të ndjeshme ekonomike në vend.

Mehmeti vlerëson se bashkatdhetarët që kanë ardhur këtë verë në Kosovë, kanë shpenzuar mbi 630 milionë euro, teksa tregon se remitencat kanë arritur në 651 milionë euro.

Guvernatori Mehmeti thotë se Qeveria ka një qasje serioze për anëtarësimin e Kosovës në Kartonin e Gjelbër, por që fillimisht sfidë mbetet numri i madh i automjeteve të paregjistruara në Kosovë.

Përveç Kartonit, sfidë tjetër mbetët edhe shfrytëzimi i platformës së internetit për pagesa elektronike “Paypal”, ngase kjo e fundit nuk e njeh Kosovën shtet.

Duke folur për rritjen ekonomike, Mehmeti thotë se në vitin 2020, Kosova kishte një rënie ekonomike 3 për qind, për shkak të masave për parandalimin e përhapjes së COVID-19.

“Masat e ndërmarra për parandalimin e pandemisë COVID-19, sikurse në gjithë botën, ashtu edhe në Kosovë, ndikuan ose afektuan dukshëm në aktivitetin ekonomik në Kosovë. Kështu që, viti 2020 në terma real, sipas të dhënave që i kemi, kemi një rënie ekonomike 3 për qind”, tha ai.

Gjithashtu shtoi se “Relaksimi i masave që ndodhen gjatë vitit 2021, jo vetëm në Kosovë, por edhe në vendet nga vijnë diaspora, bëri që të kemi një rritje të ndejshme ekonomike në vend. Parashikimet tona janë që rritja ekonomike në Kosovë do të jetë 6.6 për qind, edhe pse është subjekt i rishikimit, duke pasur parasysh, deri në fund të vitit se si rrjedh çështja që ka të bëjë me pandeminë, duke pasur parasysh që burim i krizës në Kosovë dhe në nivel global është pandemia dhe jo faktor të tjerë ekonomik. Gjithçka lidhet me pandeminë”.

Sipas tij, remitencat nga bashkatdhetarët kanë shënuar rritje 24 për qind, derisa shpenzimet e tyre deri në korrik ishin 140 për qind më shumë se vitin paraprak.

“Lehtësimi i kufizimeve të lëvizjes të bashkatdhetarëve nga vendet që vijnë në Kosovë del që të kemi ardhje të shumë bashkatdhetarëve dhe që të kemi një rritje të konsiderueshme të shpenzimeve jo-rezidente, që ne i quajmë shpenzime të diasporës. Me të dhënat e korrikut, që i kemi ne në dispozicion shënojnë 630 milionë euro apo me një rritje nëse e krahasojmë mbi baza vjetore del të jetë 140 për qind. Por, edhe nëse e krahasojmë me vitin 2019, kemi një rritje rreth 7 për qind. Remitencat vazhdojnë të jenë në rritje, shënojnë 651 milionë euro apo me një rritje vjetore 24 për qind”, theksoi ai.

Ardhja e diasporës, sipas Mehmetit, ndikoi edhe në rritjen e importit të mallrave në mbi 40 për qind, teksa shton se është rritur edhe vlera e eksporteve në 476 milionë euro, ose 63 për qind më shumë.

“Kjo ka bërë të kemi edhe rritje të kërkesave të brendshme në Kosovë gjë që ka quar në rritjen e importit në përqindje rreth 43.4 për qind, duke arrit vlerën 2.9 miliardë euro. Por, gjithashtu kemi edhe rritje të eksporteve, shprehur në përqindje rreth 63.4 për qind ka rritje të eksporteve që ka arrit vlerën 476 milionë euro. Kjo ka bërë që të thellohet edhe më tutje deficiti tregtar që ka arrit në 2.44 miliardë euro apo me një rritje vjetore prej 40 për qind”, thekson Mehmeti.

Guvernatori ka folur edhe për rritjen e çmimeve në vend, teksa thotë se inflacioni ka shënuar rritje nga 0.2 në 1.6 për qind, ndërsa investimet e huaja, Mehmeti thotë se kanë arrit 271 milionë euro.

“Sa i përket inflacionit nga 0.2 për qind sa ishte një vit më herët, ka shkuar në 1.6 për qind dhe gjithashtu edhe investimet e huaja direkte kanë shënuar rritje nga 201 milionë sa ishin vitin 2020, kanë arrit 271 milionë. Por, kryesisht kemi rritje të investimeve të huaja direkte në sektorin e patundshmërisë, shprehur në përqindje i bie diku rreth 80 për qind në këtë sektor. Ndërkaq, investimet e huaja direkte në shërbimet financiare mbesin të njëjta me vitin e kaluar”, thotë ai.

Guvernatori Mehmeti ka treguar edhe mënyrën e fitimit të bankave në gjysmën e parë të këtij viti që kanë shënuar 55 milionë euro.

“Me të dhënat e qershorit, diku rreth 55 milionë euro është fitimi i bankave. Tash, një gjë çka ne e kemi jo vetëm si Kosovë, por edhe në nivel global është se edhe prej krize del diçka e mirë. Që në rastin konkret, ne kemi qenë shumë të kujdesshëm në lëvizjen e digjitalizimit të sektorit bankar. Mirëpo, pandemia bëri që ky proces të përshpejtohet. Tash lëvizja drejt digjitalizimit ka bërë që të ulëte kosto, të rritet efikasiteti për klientë, por gjithashtu edhe për bankat”, thotë ai.

Sa i përket sektorit të sigurimeve, Mehmeti thotë se ky sektor ka arrit të konsolidohet dhe të jetë profitabil. Në anën tjetër guvernatori shton se për t’u anëtarësuar Kosova në Kartonin e Gjelbër duhet të ulet numri i automjeteve të paregjistruara që ka arrit në 30 për qind.

Mehmeti ka thënë po ashtu se janë në pritje të kompletimit të bordit të BQK-së që nuk është funksional tash 15 muaj.

Mehmeti shtoi se për të pasur Kosova qasje në sistemin e pagave elektronike në “Paypal”, kërkohet koordinim ndër institucional, teksa thekson se BQK ka marrë iniciativë në këtë drejtim, përkundër që platforma e internetit “Paypal”, nuk e njeh Kosovën si shtet.

Mehmeti e thotë me përgjegjësi të plotë, se nuk ka asnjë problem sa i përket zbatimit të ligjit që ka të bëj me fushën që ndërlidhet me rregullimin dhe mbikëqyrjen e këtyre institucioneve financiare, raporton KP

Derisa thekson se në të ardhmen duhet të adresohet çështja e statutit të OJQ-së, e cila duhet të rregullohet me ligjin e OJQ-së.

Në këtë sektor kreditë kanë arrit deri 220 milionë euro, me një rritje vjetore 5-7 për qind, përkundër që normat e interesit në këtë sektor mbesin të larta. /Gazeta Sinjali/


Shpërndaje artikullin