image ​Daut Haradinaj: Përveç Ramushit nuk e votojmë asnjë kandidat për president

Politikë

​Daut Haradinaj: Përveç Ramushit nuk e votojmë asnjë kandidat për president

news image

Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Daut Haradinaj, ka paralajmëruar se kjo parti nuk do të votojë asnjë kandidat tjetër për të parin e shtetit, pas përfundimit të mandatit të presidentit Hashim Thaçi.

Ai në emisionin “Pressing” në T7 ka thënë se deputetët e AAK-së për postin e presidentit do ta votojnë vetëm kreun e partisë, Ramush Haradinajn.

Haradinaj ka folur edhe rreth marrëveshjes së Washingtonit, për të cilën tha se si parti kanë vërejtje rreth negociatave.

“Marrëveshja nuk ka qenë befasi. Vetë qëndrimi i Grenell që tha për persona të caktuar në Kosovë që nuk po japin ide, por vetëm po kritikojnë tregojnë që kjo marrëveshje është diskutuar më herët. Delegacioni ynë lejoi largimin e pikës 10, njohjen reciproke”, tha ai.

Haradinaj ka thënë se kryeministri Hoti, me kushtetutë, gëzon kompetenca sa i përket udhëheqjes së procesit të dialogut, por kërkon që AAK të jetë pjesë e barabartë në tavolinën e dialogut.

Ai pohoi se emërimi i koordinatorit për dialogun, Skender Hyseni, ‘nuk ka aq peshë sa t’i prishë marrëdhëniet e koalicionit qeverisës AAK-LDK’. /Gazeta Sinjali/