image Zyrtari i Gardës Kombëtare të FSK-së denoncohet për dhunë në familje, dyshohet se sulmoi motrën e tij

Siguri

Zyrtari i Gardës Kombëtare të FSK-së denoncohet për dhunë në familje, dyshohet se sulmoi motrën e tij

news image

Foto ilustruese


Dhuna në familje po vazhdon të mbetet një nga damkat më të mëdha të shoqërisë kosovare. Çdo ditë në Polici raportohen raste ku gratë dhunohen në forma të ndryshme nga burrat, djemtë, vëllezërit e anëtarët e tjerë të familjes. Jo rrallëherë ka pasur raste kur të dyshuarit kanë qenë edhe zyrtarë të institucioneve shtetërore, e shumë herë edhe pjesëtar të Forcës së Sigurisë së Kosovës, raporton Gazeta Sinjali.

Një rast i tillë ka ndodhur gjatë ditë së djeshme në fshatin Prekaz i Poshtëm në Skenderaj, ku një person, për motive akoma të panjohura dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj motrës së tij.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se këtë herë i dyshuari është zyrtar në Gardën Kombëtare të FSK-së, i cili u denoncua në Polici, pasi dyshohet se sulmoi fizikisht motrën e tij, e cila kishte shkuar për vizitë në shtëpinë e prindërve.  

Siç merr vesh Sinjali, bëhet fjalë për M.L., (52) që përfundoi në stacion policor të shtunën mbrëma, si rezultat i raportimit të rastit. Ai është shoqëruar në Polici, ku ka dhënë deklaratën e tij për atë që kishte ndodhur, me ç’rast ka treguar edhe motivin që e shtyu të çojë dorë mbi motrën e tij.

Përveç tij, hetuesit policorë kanë marrë në pyetje edhe viktimën, e cila po ashtu ka treguar se si ndodhi rasti mes saj dhe vëllait të saj 52-vjeçar.

Pas përfundimit të proceduarve policore, të njëjtat burime thonë se Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që ndaj të dyshuarit të iniciohet rasti për veprën penale “Sulm”.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/