image "Zyrtarët policorë janë akuzuar për vepra kriminale, pa siguruar prova" / IPK i kundërpërgjigjet sindikatës

Siguri

“Zyrtarët policorë janë akuzuar për vepra kriminale, pa siguruar prova” / IPK i kundërpërgjigjet sindikatës

news image

Inspektorati i Policisë së Kosovës i ka reaguar Sindikatë pas akuzave se zyrtarët policorë janë akuzuar për vepra kriminale, pa siguruar prova. Përmes një komunikate për media, IPK thotë se të gjitha veprimet në kuadër të këtij hetimi janë ndërmarrë sipas udhëzimeve dhe në koordinim  të plotë të Prokurorisë së Shtetit, duke përfshirë edhe arrestimet e secilit prej tyre, raporton Gazeta Sinjali.

IPK në komunikatën për media, thekson gjithashtu se për  këtë rast ka prova dhe të njëjtat  janë dorëzuar në Prokurorinë Speciale, ashtu siç e parasheh Kodi i Procedurës Penale.

“Ne kemi qenë dhe jemi të shqetësuar për nivelin e korrupsionit në Polici dhe do të shtojmë intensitetin e luftës ndaj këtij fenomeni që minon besimin në policinë tonë. Besojmë fuqishëm që edhe Policia e Kosovës e ka këtë synim dhe e mbështet IPK-në siç e ka bërë deri tani në këtë mision të rëndësishëm për sundimin e ligjit në Republikën e Kosovës”, thuhet ndër të tjera në njoftim.

Komunikata e plotë:

Fuqizimi i integritetit policor është mision i përbashkët dhe duhet të përkrahet nga të gjithë

Prishtinë/Hajvali, 09 korrik 2022,

Inspektorati Policor i Kosovës duke ju referuar komunikatës për medie që ka lëshuar sot në orët e pasdites Sindikata e Policisë, deklaron se Operacioni Pika 1 dhe Pika 2 është një ndër operacionet më të suksesshme të realizuara në luftimin e korrupsionit.

Të gjitha veprimet në kuadër të këtij hetimi janë ndërmarrë sipas udhëzimeve dhe në koordinim  të plotë të Prokurorisë së Shtetit, duke përfshirë edhe arrestimet e secilit prej tyre.

Sigurisht që për këtë rast ka prova dhe të njëjtat  janë dorëzuar në Prokurorinë Speciale, ashtu siç e parasheh Kodi i Procedurës Penale. Sidoqoftë provat nuk  mund tua prezantojmë Sindikatës së Policisë.

Shumica e veprimeve inkriminuese të zyrtarëve policorë të dyshuar në këtë rast janë të dëshmuara më zë dhe figurë. Është kompetencë e prokurorit të vlerësoj dhe vendos më tutje vazhdimin e procedurave penale për secilin prej të dyshuarve në këtë rast.

IPK siç parashihet edhe me Kodin e Procedurës Penale u ka dhënë mundësinë dhe të gjithë të dyshuarit në këtë rast janë mbrojtur dhe mbrohen nga avokatet e tyre sipas procedurës.

Ne kemi qenë dhe jemi të shqetësuar për nivelin e korrupsionit në Polici dhe do të shtojmë intensitetin e luftës ndaj këtij fenomeni që minon besimin në policinë tonë. Besojmë fuqishëm që edhe Policia e Kosovës e ka këtë synim dhe e mbështet IPK-në siç e ka bërë deri tani në këtë mision të rëndësishëm për sundimin e ligjit në Republikën e Kosovës. 

Duke i falënderuar të gjithë qytetarët për bashkëpunim, IPK beson se fuqizimi i integritetit policor është mision i përbashkët dhe duhet të përkrahet nga të gjithë.

Me respekt;

Divizioni për bashkëpunim dhe informim Inspektorati Policor i Kosovës.

/GazetaSinjali/