image Zv/presidentja amerikane planifikon të vizitojë Meksikën e Guatemalën, në fokus ndalja e migrimit në ShBA

Botë

Zv/presidentja amerikane planifikon të vizitojë Meksikën e Guatemalën, në fokus ndalja e migrimit në ShBA

news image

Zëvendëspresidentja amerikane Kamala Harris tha se ajo synon të vizitojë Meksikën dhe Guatemalën së shpejti si pjesë e planit të saj për të përdorur përpjekjet diplomatike për të ngadalësuar migrimin në kufirin SHBA-Meksikë, transmeton Gazeta Sinjali.

Presidenti Joe Biden, i cili është larguar nga qasja e pakompromis ndaj imigracionit e ndjekur nga paraardhësi Donald Trump, i dha Harris punën për të udhëhequr përpjekjet e SHBA me Meksikën dhe vendet e Trekëndëshit Verior të Amerikës Qendrore – Hondurasi, El Salvadori dhe Guatemala – për të ndaluar kalimin e migrantëve në Shtetet e Bashkuara.

Harris u foli gazetarëve të mërkurën ndërsa ishte pjesëmarrëse në një tryezë të rrumbullakët me ekspertë të cilët ofruan rekomandime mbi rajonin, duke u përqëndruar në shkaqet thelbësore të migrimit në Trekëndëshin Verior.

“Fokusi ynë është të merremi me shkaqet themelore dhe unë pres që të udhëtoj, shpresoj të jetë udhëtimi im i parë, në Trekëndëshin Verior, të ndalem në Meksikë dhe pastaj të shkoj në Guatemalë”, tha Harris.

Presidenti i Guatemalës Alejandro Giammattei tha të mërkurën se qeveria e tij kishte gjasa të arrinte marrëveshje mbi migracionin me Harris gjatë vizitës së saj të planifikuar në vend, por ai shtoi se nuk kishte ende asnjë marrëveshje në tryezë.

“(Qeveria e SHBA) do të analizojë propozimet tona dhe marrëveshjet do të vijnë nga atje,” tha ai në një deklaratë, duke theksuar se një datë takimi ende nuk ishte përcaktuar.

Në përgjithësi, më shumë se 172,000 migrantë u kapën në kufirin SHBA-Meksikë në mars, sipas një zyrtari të administratës. Prej tyre, afërsisht 168,000 u zunë nga agjentët e patrullës kufitare midis portave të hyrjes – numri më i lartë mujor që nga marsi 2001.

Ligjvënësit republikanë në Uashington kanë pyetur pse Harris po planifikonte të vizitonte Meksikën dhe Guatemalën kur ajo ende nuk ka vizituar kufirin jugor të SHBA-së.

“Kanë kaluar 3 javë që kur Presidenti Biden emëroi Harris për të mbikëqyrur kufirin” tha udhëheqësi republikan i Dhomës Kevin McCarthy në Twitter. “Që atëherë, kriza vetëm ka vazhduar të dalë jashtë kontrollit”. /Gazeta Sinjali/