image Zjarri masiv në Greqi shkakton dëme të mëdha materiale

Rajon

Zjarri masiv në Greqi shkakton dëme të mëdha materiale

news image

Greqia në flakë. Dhjetëra vatra zjarri janë shënuar mbasditen e së hënës në të gjithë Greqinë, ku siç njofton shërbimi zjarrëfikës, disa zona janë në rrezik.

Një hotel në zonën Kranidhi të periferisë të Argosit është shkatërruar tërësisht prej zjarrit. Falë ndërhyrjes së shpejtë dhjetëra turistë mundën të dalin në një plazh aty afër.

Dëme të mëdha materiale janë shënuar edhe në zonën Itea ku janë djegur mijëra rrënjë ullinj dhe masive të mëdha pyjore, ndërsa mbrojta civile ka dërguar sms alarmi për banorët që rrezikojnë nga zjarri në zonën Ftiotidha, në Pyrgo dhe ishullin Zakynthos dhe në malin e shenjtë Atos në Kalkidhiki.

Në luftë me flakët janë hedhur dhjetëra mjete zjarrfikëse të ndihmuara edhe prej avionëve dhe helikopterëve.

Në ndihmë të zjarrfikësve grekë kanë mbërritur në Greqi edhe forca nga Rumania dhe bullgaria, ndërsa në orët në vazhdim priten edhe zjarrfikës prej Finlandës, Francës dhe Norvegjisë.

Mbrojtja civile njoftoi banorët të bëjnë kujdes dhe të largohen nga zonat në cilat flakët iu afrohen banesave.

Po ashtu, autoritetet greke paralajmëruan se e marta do të jetë një ditë me rrezikshmëri të lartë për shpërthimin e zjarreve, ndaj dhe duhet bërë kujdes i madh.

Në Greqi gjatë kësaj jave pritet mot me temperatura të larta dhe erëra të forta nga jugu, çka pritet të favorizojnë përhapjen e flakëve.


/GazetaSinjali/