image Zgjedhjet e brendshme në LDK, sot mblidhet Këshilli i Përgjithshëm i partisë

Politikë

Zgjedhjet e brendshme në LDK, sot mblidhet Këshilli i Përgjithshëm i partisë

news image

Këshilli i Përgjithshëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës do të mblidhet sot, për t’u përgatitur për zgjedhjet e brendshme të kësaj partie.

Sipas njoftimit të kësaj partie, mbledhja do të mbahet në orën 16:00.

Pas mbledhjes së kryesisë së LDK-së, të mërkurën, kryetari i kësaj partie Lumir Abdixhiku në konferencë për media ka bërë të ditur se është marrë vendimi për shpalljen e zgjedhjeve të brendshme.

“Kryesia e LDK-së ka marrë vendim në mënyrë unanime që te shpall zgjedhjet e brendshme të Lidhjes Demokratike të Kosovës, dhe që këtë propozim t’ia dërgojë Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, i cili do të mblidhet këtë të premte, për të formalizuar kështu zgjedhjet e rregullta të brendshme të LDK-së”, tha Kryetari i LDK-së.

Abdixhiku tha se ky proces për LDK-në është festë, pasi si parti gjithmonë kanë besuar që demokracia është vlerë, e që besojnë ta manifestojnë edhe në këtë proces të brendshëm.

“Ky proces për ne është festë sepse gjithmonë LDK ka besuar që demokracia e brendshme është vlerë, vlerë identitare, si vlerë të cilën besojmë ta manifestojmë edhe me procesin tonë të brendshëm”, tha ai.

Kuvendi i ri, përveç Kryetarit, pritet të nxjerrë edhe Kryesinë e re të partisë dhe organet tjera drejtuese.

Në LDK, një proces i brendshëm zgjedhor ka më shumë se një vit që është duke u zhvilluar në disa degë të partisë.

Lidhja Demokratike e Kosovës kuvendin e fundit zgjedhor e ka zhvilluar me 14 mars 2021, pas rezultatit tejet të dobët të zgjedhjeve të 14 shkurt të atij viti, që çoi në dorëheqjen e ish-kryetarit Isa Mustafa. Nga ky Kuvend, LDK-ja doli me kryetar të ri – Lumir Abdixhikun – dhe me kryesi të re. Përballë tij, Abdixhiku kishte edhe dy kandidatë tjerë për kryetar të LDK-së, nënkryetarin Lutfi Haziri dhe anëtarin e kryesisë, Besian Mustafa.

Kryetari aktual, Lumir Abdixhiku pritet që sërish të synojë drejtimin e partisë për një mandat të plotë, duke kërkuar besimin nga strukturat e reja të partisë të zgjedhura nga procesi i brendshëm në LDK, që përfundon me Kuvendin e ri zgjedhor.

/GazetaSinjali/