image Zbulohet rasti i parë, një mace infektoi me COVID-19 një njeri - Sinjali

Zbulohet rasti i parë, një mace infektoi me COVID-19 një njeri

news image

Shkencëtarët në Tajlandë thonë se kanë identifikuar rastin e parë bindës në botë të një veterineri të infektuar me koronavirus  nga një mace.

Hulumtimet e mëparshme kanë treguar se macet mund të infektojnë kafshë të tjera, por tani duket se është konfirmuar rasti i parë i transmetimit nga macja te njeriu.

Studiuesit në Universitetin Prince Songla, të cilët publikuan studimin në revistën e CDC-së të SHBA- së për sëmundjet infektive, sipas “Nature” dhe britanikes “Independent”, raportuan se gjithçka filloi kur një baba dhe djali i tij, i cili ishte i diagnostikuar pozitiv me koronavirus, u transportua me ambulancë në një repart izolimi të një spitali universitar, duke marrë me vete macen e tyre dhjetëvjeçare. Macja u dërgua për ekzaminim në një klinikë veterinare.

Ajo teshtiu në fytyrën e një veteriner, i cili edhe pse mbante maskë dhe doreza, pas disa ditësh shfaqi simptoma të Covid-19 (ethe, kollë, etj.),pa asnjë kontakt të ngushtë të infektuar me koronavirus.

Analiza gjenetike që pasoi, tregoi se si macja, ashtu edhe të tre personat (babai, djali dhe veterineri) ishin të infektuar me të njëjtin variant të virusit, i cili në atë kohë nuk ishte i përhapur në popullatën vendase.

“Ne kemi gjetur prova që macet mund të transmetojnë infeksionin e virusit SARS-CoV-2 te njerëzit. Por mundësia e një transmetimi të tillë është relativisht e pazakontë”, thanë shkencëtarët.

Deri më sot, disa dhjetëra raste të maceve të infektuara me Covid-19 janë raportuar ndërkombëtarisht, por transmetimi tek njerëzit thjesht konsiderohej i mundshëm. Megjithatë, macet nuk kanë një ngarkesë të lartë virale të virusit dhe nuk janë ngjitëse për më shumë se disa ditë.

/GazetaSinjali/


Shpërndaje artikullin