image Zbulohet identiteti i taksistit ilegal që dyshohet se ngacmoi seksualisht 17-vjeçaren në Prishtinë - Sinjali

Zbulohet identiteti i taksistit ilegal që dyshohet se ngacmoi seksualisht 17-vjeçaren në Prishtinë

news image

Gazeta Sinjali sot raportoi për një rast të ngacmimit seksual që ka ndodhur dje në Prishtinë, ku viktimë dyshohet të jetë një vajzë e mitur. I dyshuari i cili kryen veprimtarinë e taksive ilegalë, u arrit që të identifikohej, me ç’rast është arrestuar nga Policia.

Sinjali mëson ekskluzivisht nga burimet e veta se personi që dyshohet se ngacmoi seksualisht 17-vjeçaren është Labinot Berbatovci, 36-vjeçar.

Sipas burimeve, Berbatovci e kishte ngacmuar të miturën me fjalët ‘i kam 50 euro, hajde ndalemi diku’, duke aluduar në krijimin e një raporti intim me të miturën.

Pos kësaj, ai kishte vazhduar ta ngacmojë edhe me fjalë të tjera, çka bëri që 17-vjeçarja të kërkojë që të zbres menjëherë nga vetura. Por i dyshuari nuk kishte përfillur kërkesën e saj, duke mos e ndalur veturën fare. Duke parë rrezikun që i kanosej, e mitura kishte vendosur që të kërcej nga vetura gjatë kohës që ajo ishte në lëvizje.

36-vjeçari është shoqëruar në stacion për intervistim, ku para hetuesve policorë ka pranuar veprën që ka kryer.

Me urdhër të prokurorit, Berbatovcit i është caktuar masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Ngacmim seksual’.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata. 

/GazetaSinjali/


Shpërndaje artikullin