image Ylli fiton ndeshjen e mbetur ndaj Pejës

Basketboll

Ylli fiton ndeshjen e mbetur ndaj Pejës

news image

Pas humbjes nga Rahoveci vikendin e shkuar, Golden Eagle Ylli është kthyer te fitorja në Superligën e Kosovës në basketboll. Ylli të mërkurën mbrëma ka triumfuar ndaj Pejës në ndeshjen e mbetur të xhiros së 20.

Dueli i luajtur në palestrën “Karagaçi” në Pejë, ka përfunduar me rezultatin 88:77 në favor të ekipit nga Suhareka.

Me këtë fitore, Ylli ka tubuar 35 pikë sa i ka edhe Ponte Prizreni në pozitën e parë ndërsa Peja mbetet e katërta në tabelë me 33 pikë të mbledhura.

Për Pejën, kjo ishte humbja e tretë rresht kurse u paraqit pa Dardan Berishën, i cili mungoi shkaku i lëndimit.

Valon Bunjaku me 24 pikë të shënuara ishte më efikasi te Ylli derisa me lojë të mirë, u veçuan edhe Erjon Kastrati e Samir Zekiqi. Kastrati ndeshjen e mbylli me “double-double” prej 20 pikëve e 13 kërcimeve derisa Zekiqi shtoi 17 pikë.

Ndërkohë, te Peja vetëm dy basketbollistë e përfunduan ndeshjen me pikë dyshifrore. Brandon Walters pati 31 pikë e 17 kërcime derisa Leroy Dandy shtoi 13 pikë e 12 kërcime, që nuk mjaftuan për të evituar humbjen nga Ylli. /Gazeta Sinjali Sporti/