image VV: Vendi të shkojë në zgjedhje, që të ndalen keqpërdorimet në shëndetësi

Shëndetësi

VV: Vendi të shkojë në zgjedhje, që të ndalen keqpërdorimet në shëndetësi

news image

Lëvizja Vetëvendosje konsideron se vendi duhet të shkojë urgjentisht në zgjedhje, në mënyrë që të ndalen keqpërdorimet në fushën e shëndetësisë.

Në një konferencë për media, anëtarë të kësaj partie kanë paraqitur disa probleme me të cilat, sipas VV-së, përballet Qendra Klinike Universitare e Kosovës.

Kryetari i Qendrës së LVV-së në Prishtinë, Arben Vitia, tha se vendi duhet të shkojë sa më shpejt në zgjedhje.

“Është jetike që shërbyesit civilë të zbatojnë ligjin dhe vetëm ligjin në kohën sa jemi pa qeveri. Zgjedhjet e jashtëzakonshme kanë qenë të domosdoshme për të ardhmen e Kosovës, veçanërisht edhe për t’i dhënë fund keqpërdorimeve e keqqeverisjes edhe në shëndetësi. Shpesh ka pasur përpjekje për t’ua lënë fajin profesionistëve shëndetësorë për gjendjen e rëndë në shëndetësi ose edhe mungesën e një strategjie zhvilluese për këtë sektor. Këtë e kanë përdorur si alibi ata që në fakt kanë pasur strategji të detajuar për të dështuar rregullin dhe zhvillimin e shëndetësisë”, tha ai.

Vitia tha se sistemi i prokurimit ka shkaktuar padrejtësi të madhe karshi pacientëve, të cilëve, sipas tij, u pamundësohet trajtimi i dinjitetshëm shëndetësor. Tutje, ai ka shtuar se me këtë sistem të prokurimit, stafi shëndetësor po sfidohet me mungesën e mjeteve bazike për punë.

“Rasti më i fundit i furnizimit me stenda, aty janë shpërblyer kompani, të cilat nuk garantojnë minimumin e cilësisë përmes certifikatave bazike pasi që këto certifikata kanë skaduar. Janë blerë stenda, të cilat sipas dokumentacionit nuk garantojnë cilësinë e duhur, paramendojeni tash stendat të cilat vendosen në arteriet koronare, në zemrën e pacientit, pikërisht këto nuk e kanë të garantuar cilësinë dhe sigurinë përmes certifikimeve adekuate”, ka thënë ai.

Ai përmendi edhe rastin e shtretërve që u blenë për QKUK-në, por kishin dimensione të mëdha saqë nuk mund t’i fusnin nëpër dhoma.

Vitia tha se ka raste edhe më tragjike, ku sipas tij, simulohet një situatë emergjente e furnizimit me produkte të hemodializës, shfrytëzohet për tender me procedura emergjente të negociuar, i jepet tenderi një kompanie të formuar në kohën kur Qeveria e Kosovës është në dorëheqje.

Për gjendjen në QKUK, ka folur edhe kirurgu Baton Kelmendi, i cili tha se përkundër zotimeve të dhëna nga ish-qeveria sa i përket përmirësimit të gjendjes në shëndetësi, keqqeverisja ka vazhduar. Për të përmirësuar gjendjen në shëndetësi, sipas tij, duhet impenjim profesional dhe njerëzor.

“Është turp dhe nuk i bën nder askujt që në vitin 2019 ka pacientë që detyrohen të udhëtojnë jashtë vendit për raste që duhet të mbulohen brenda vendit. Vendimet e mbrapshta jo profesionale datojnë që nga viti 2000. Jemi në situatën kur është luhatur besimi i pacientëve në sistemin tonë shëndetësor, jo për shkak të mungesës së kompetencës së mjekëve, por si rezultat i pushteteve të deritashme dhe egërsisë së tyre në uzurpimin e pozitave kryesore drejtuese të shëndetësisë.”, tha Kelmendi.

Duke folur për gjendjen në QKUK, Kelmendi tha se ende nuk ka një raport zyrtar për vdekjet e supozuara nga gazi. Ai tha se ditën e parë të komplikimeve është alarmuar menaxhmenti dhe drejtorët e klinikave, por që sipas tij, në vend se të fillojnë hetimet, është tentuar të fshihet ngjarja.

Tutje, ai tha se QKUK është i vetmi spital ku sallat e operacionit janë pa filtra steril, teksa shtoi se mjekët kosovarë, rrobat që i përdorin gjatë operacionit, janë të detyruar t’i pastrojnë në shtëpitë e tyre, pasi ky shërbim nuk ofrohet në QKUK.

“Është e pabesueshme kur pacienti me nevojë urgjente për ndërhyrje kirurgjike, nuk mund t’i nënshtrohet operacionit pa u siguruar për gypa, të cilët përdoren për anestezion. Gypat me numër 3.5 deri në 8 kanë munguar për më shumë se një vit. Në mjekimin intensiv pediatrik ka pasur periudhë të gjatë kur kanë munguar elementet bazike për punë, duke filluar nga dorëzat për një përdorim. Javën e kaluar kemi pasur mungesë të sistemit për infuzion”, u shpreh ai.

Kelmendi ka hedhur akuza për politizim të administratës së ShSKUK-së. “Ndërtesa e administratës së SHSKUK-së më shumë i përngjan zyrës lokale të PDK-së për lagjen e spitalit sesa në institucion përgjegjës për të vetmen qendër në vend”, tha ai.

Kelmendi ka pasur disa fjalë edhe për ministrin e Shëndetësisë në dorëheqje, Uran Ismaili, për të cilin tha se vjen nga fusha e biznesit dhe sipas tij, njejtë ka vepruar edhe me shëndetësinë. Kelmendi po ashtu shtoi se janë të kota promovimet, teksa në spitale mungojnë gjërat edhe më elementare. (Burimi: KosovaPress)