image Vushtrri: Djali kërkon ndihmë nga Policia, e denoncon babain për dhunë ndaj nënës

Siguri

Vushtrri: Djali kërkon ndihmë nga Policia, e denoncon babain për dhunë ndaj nënës

news image

Në shumicën e rasteve të dhunës në familje në Kosovë, viktima janë kryesisht gratë që pësojnë nga bashkëshortët e tyre. Shumë prej tyre nuk i denoncojnë burrat në momentin kur përjetojnë dhunën për shkak të frikës. Një rast i tillë ka ndodhur edhe në fshatin Nadakovc të Vushtrrisë, në orët e para të mëngjesit, raporton Gazeta Sinjali.

Sinjali mëson se këtë herë rasti është raportuar në Polici nga djali i viktimës, i cili e ka denoncuar babain për presionin dhe dhunën që po ia shkakton nënës së tij.

Burri nga Vushtrria dyshohet se në vazhdimësi ka shkaktuar dhunë fizike dhe psikike bashkëshortes së tij. I shqetësuar për problemet e familjes, djali i çiftit ka vendosur që zgjidhja më e mirë është raportimi i rastit në stacion policor, ku ka kërkuar ndihmë nga Policia.

Pas denoncimit të rastit, Policia ka prangosur burrin e dyshuar, ndaj të cilit Prokurori i Shtetit ka urdhëruar ndalimin për 48 orë, për veprën penale “dhunë në familje”.

Ndërsa viktima, siç mëson Sinjali është dërguar për kontroll mjekësor dhe më pas është kthyer në shtëpinë e saj.

/GazetaSinjali/