image Vuçiq jep versionin e tij për takimin ku mori pjesë edhe Kurti: Ishte diskutim i ashpër

Politikë

Vuçiq jep versionin e tij për takimin ku mori pjesë edhe Kurti: Ishte diskutim i ashpër

news image

Diskutimi mbi Ballkanin Perëndimor, në një panel në kuadër të Forumit Ekonomik Botëror, vu përballë kryeministrin kosovar me presidentin serb sot në Davos të Zvicrës.

Zyra e Kryeministrit të Kosovës e përshkroi këtë takim si “ofrim mundësie për dialog me shumë palë mbi Ballkanin Perëndimor, ka për synim të ndihmojë nxitjen e bashkëpunimit rajonal dhe ndërtimin e partneriteteve të reja ndërkombëtare”, por një version më ndryshe e dha Zyra e Presidentit të Serbisë në një postim në Instagram.

Vuçiq e quajti “diskutim të ashpër” diskutimin mbi të ardhmen e Ballkanit Perëndimor.

“Diskutim i ashpër për të ardhmen e Ballkanit Perëndimor me liderët europianë dhe rajonalë në World Economic Forum”, thuhet në njoftimin e presidencës serbe.

Pjesë e panelit “Dialogu i Diplomacisë për Ballkanin Perëndimor” ishte edhe ndërmjetësi i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, si dhe liderë të tjerë.

Vuçiq në kuadër të këtij forumi ka takuar edhe kryeministrin grek, Kyriakos Mitsotakis, raportet me të cilin i lavdëroi, derisa e falënderoi edhe për “respektimin e integritetit territorial të Serbisë”.

“Serbia dhe Greqia kanë prej 150 vitesh marrëdhënie jo vetëm miqësore, por edhe të vërteta vëllazërore dhe nuk ka asnjë çështje të hapur mes nesh. I jam mirënjohës popullit grek për mbështetjen e tij për integritetin territorial të Serbisë, si dhe për mbështetjen e madhe për rrugën europiane të vendit tonë”, ka shkruar Vuçiq në Instagram.

Krahas kryeministrit Kurti, në këtë sesion, diskutuan edhe: Andrej Plenkoviq, Kryeministër i Kroacisë, Dritan Abazoviq, Kryeministër i Malit të Zi, Alexander Schallenberg, Ministër Federal për Çështjet Evropiane dhe Ndërkombëtare të Austrisë, Stevo Pendarovski, President i Maqedonisë së Veriut, Aleksandar Vuçiq, President i Serbisë, Zoran Tegeltija, Kryetar i Këshillit të Ministrave të Bosnjës dhe Hercegovinës, Miroslav Lajčák, Përfaqësues Special i Bashkimit Evropian për Dialogun dhe Odile Françoise Renaud-Basso nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZh).

/GazetaSinjali/