image Vuçiqi uron nobelistin Handke: Serbia ju konsideron mik të vërtetë

Rajon

Çmimi/ Vuçiqi uron nobelistin Handke: Serbia ju konsideron mik të vërtetë

news image

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka uruar shkrimtarin austriak, Peter Handke, i cili të martën mori çmimin Nobel për Letërsi.

“Serbia ju konsideron mik të vërtetë. Më lejoni t’ju them se Nobelin për ju, ne e përjetojmë si të fituar nga njëri prej nesh. Tani, përveç Ivo Andricit, kemi edhe një tjetër laureat “, tha Vuçic, duke aluduar për shkrimtarin serb që fitoi Nobelin për Letërsi në 1961.

Kreu i shtetit serb shtoi se Handke është shpërblyer me Nobel për “punën e jashtëzakonshme letrare, njohurinë dhe krijimtarinë”, por edhe për “cilësi të pakrahasueshme morale, guxim dhe dinjitet”.

Shkrimtari austriak e pranoi të martën Nobelin e Letërsisë për vitin 2019, por kjo erdhi mes protestash të mëdha. Shoqatat e viktimave të luftës në Bosnje, vendosën një ekran gjigant elektronik në qendër të Sarajevës, duke portretizuar Handke, si një djall që qëndron pranë kafkave, me një mesazh ku thuhet “turp të keni”.

Në Stokholm, grupe protestuesish vendosën slogane si “Jo Nobel për lajme të rreme”, dhe thirrje “Handke kërkoi ndjesë për viktimat e Srebrenicës. Sot!”.

Ceremonia në Stokholm u bojkotua nga disa vende – përfshirë Kosovën, Shqipërinë dhe Bosnjën – për shkak të mbështetjes së zëshme të Handkes për ish-presidentin serb, Sllobodan Millosheviq. /Gazeta Sinjali/