image Vuçiq e njofton ambasadorin rus për dialogun me Kosovën

Rajon

Vuçiq e njofton ambasadorin rus për dialogun me Kosovën

news image

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e njoftoi ambasadorin e Rusisë në Beograd, Aleksandar Botsan Harchenko, në lidhje me vazhdimin e dialogut midis Kosovës dhe Serbisë, bëri të ditur kabineti i Vuçiqit.

Siç transmeton REL, Vuçiq e ka bërë këtë një ditë pas rifillimit të dialogut midis Vuçiqit dhe kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, me ndërmjetësimin e zyrtarëve të Bashkimit Evropian.

Dialogu për normalizimin e marrëdhënieve – rrethi i parë pas 20 muajsh – u zhvillua përmes video-konferencës, ndërsa takimi i drejtpërdrejtë është caktuar për datën 16 korrik, në Bruksel.

Në njoftimin e Presidencës së Serbisë, përveç që thuhet se Vuçiq dhe Harchenko diskutuan veçanërisht për çështjen e Kosovës, detaje të tjera nuk jepen.

Reagimi i fundit publik nga Rusia, në lidhje me çështjen e Kosovës, është regjistruar më 18 qershor, kur ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, ka qëndruar për vizitë në Beograd.

Atëbotë, Vuçiq ka deklaruar se ka marrë sinjale nga Lavrov që “e kanë shqetësuar edhe më shumë” atë, por nuk ka bërë të ditur se për çfarë bëhej fjalë.

Lavrov, në anën tjetër, ka thënë se Rusia “do të vazhdojë t’i mbrojë” interesat e Serbisë në organizatat ndërkombëtare. Detaje të tjera të bisedimeve nuk janë dhënë.

Vizita e Lavrovit në Beograd është zhvilluar në kohën kur pritej një takim midis Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë, me nismën e të dërguarit amerikan në dialogun Prishtinë-Beograd, Richard Grenell. /Gazeta Sinjali/