image Vrasja për të cilën po akuzohet Salih Mustafa nga Specialja

Drejtësi

Vrasja për të cilën po akuzohet Salih Mustafa nga Specialja

news image

Në aktakuzën e publikuar nga Gjykata Speciale, pas arrestimit të Salih Mustafës, pretendohet se janë kryer krime gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Sipas dokumentit të publikuar nga Specialja, ish-komandant Cali, ka udhëhequr njësinë BIA, e cila thuhet se kishte 500 deri në 600 ushtarë.

Mustafa akuzohet për ndalime arbitrare, trajtime mizore, tortura dhe vrasje të paligjshme, të cilat sipas kësaj aktakuze pretendohet se janë kryer në një kamp ndalimi në fshatin Zllash të Prishtinës. Duke ju referuar të njëjtës aktakuzë, viktimat ishin persona që nuk kishin lidhje me luftën që po zhvillohej.

“Krimet që paraqiten në aktakuzë u kryen nga disa anëtarë të UÇK-së kundër personave që u mbajtën në kompleksin e ndalimit në Zllash. Viktimat e këtyre krimeve ishin të gjithë shtetas të RFJ-së dhe persona të cilët nuk merrnin pjesë aktivisht në luftim”, thuhet në aktakuzë.

Në këtë aktakuzë të konfirmuar përmendet vrasja e një personi.

“Salih MUSTAFA ishte i pranishëm kur [REDAKTUAR] e sollën fillimisht në kompleksin e ndalimit në Zllash. Disa anëtarë të UÇK-së e shënjestruan  [REDAKTUAR] dhe ai u rrah dhe u torturua më rëndë se personat e tjerë të ndaluar. [REDAKTUAR].

 Gjatë mbajtjes së tij si i ndaluar, familjarët e tij vazhdimisht kërkuan të merrnin informata për fatin e tij, mirëpo morën informata të rreme, të paplota ose nuk morën asnjë informatë. [REDAKTUAR] u pa për herë të fundit i gjallë më 19 prill 1999, ose rreth kësaj date. [REDAKTUAR]. Familja e tij nuk dëgjoi më kurrë prej tij. Rreth fundit të prillit 1999, njësiti BIA u largua prej Zllashit. Kufoma e [REDAKTUAR] u zbulua në [REDAKTUAR]”, thuhet në këtë dokument.

Sikurse u përmend në paragrafët e mësipërm 8, 11 dhe 16, Salih MUSTAFA kishte synimin dhe dijeninë e nevojshme për krimin e vrasjes së paligjshme”, thuhet në këtë dokument.

Njësiti BIA me afërisht 500-600 ushtarë, sipas këtij dokumenti vepronte kryesisht në zona të mëdha urbane si Prishtina dhe Obiliqi dhe përreth këtyre zonave, si dhe në rajonin e Gollakut në të cilin ndodhet fshati Zllash.

Gjatë të gjitha periudhave që lidhen me këtë aktakuzë, njësiti BIA thuhet se vepronte nga një kompleks në Zllash që përfshinte një numër ndërtesash. Njësiti BIA e përdori kompleksin si vendstrehim të sigurt dhe si qendër ndalimi dhe marrjeje në pyetje (‘kompleksi i ndalimit në Zllash’).

Tutje në këtë dokument thuhet se krimet që paraqiten në këtë aktakuzë u kryen nga disa anëtarë të UÇK-së kundër personave që u mbajtën në kompleksin e ndalimit në Zllash.

/GazetaSinjali/