image Vrasja në lagjen "Arbëria" në Prishtinë, Gjykata ua vazhdon masën e ndalimit edhe për 48 orë dy të dyshuarve

Drejtësi

Vrasja në lagjen “Arbëria” në Prishtinë, Gjykata ua vazhdon masën e ndalimit edhe për 48 orë dy të dyshuarve

news image

Pasditen e së shtunës, në lagjen Arbëria në Prishtinë, në afërsi të një hoteli u vra një person, i cili u qëllua me armë zjarri dhe fatkeqësisht nuk arriti të mbijetojë. Për motive akoma të panjohura, viktima u gjuajt nga njëri prej të dyshuarve, që tashmë janë objekt hetimi nga Prokuroria Themelore në Prishtinë. Tre anëtarë të familjes Mustafa janë marrë në pyetje si të dyshuar, dy prej tyre për vrasje, e tjetri për ndihmën pas kryerjes së veprës penale, raporton Gazeta Sinjali.

Për këtë rast, Gjykata Themelore në Prishtinë, ka marrë aktvendim me të cilin ua ka vazhduar masën e ndalimit në stacionin policor edhe për 48 orë, dy të dyshuarve Avni Mustafa dhe Mustafë Mustafa, që dyshohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Vrasje e rëndë”.

Deri të kjo masë, ka ardhur si rezultat i asaj se Gjykatës i nevojitet edhe më shumë kohë për analizimin e provave dhe shkresave të lëndës për caktimin e masës së paraburgimit, masë kjo e propozuar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë.

Kështu është bërë e ditur nga avokati Besnik Berisha i cili është edhe mbrojtës i të dyshuarit Avni Mustafa.

Në një prononcim për Sinjalin, avokati i Avni Mustafës, Besnik Berisha ka theksuar se “ndonëse prokuroria e ka cilësuar rastin si vrasje e rëndë, hetimi do provoj se Avni Mustafa ka vepruar për të mbrojtur veten dhe vellain e tij nga një sulm i kundërligjshëm, real, i atqasshem dhe i paprovokuar dhe zbrapsja e sulmit nuk ka mundur të bëhet në asnjë mënyrë tjetër përveç se duke përdorur armën që e kishte në posedim”.

“Është tragjike që vrasja e tani të ndjerit ka ndodhur, por videoincizimet e kanë provuar se ishte i ndjeri ai që me thikë kishte sulmuar e ther të dy vëllezërit Mustafa, ku për të zbrapsur këtë sulm, Avniu i cili ishte therur 4 herë me thikë, shtiu me revole në drejtim të tani të ndjerit dhe për pasojë ai gjeti vdekjen”, tha Berisha.

Gazeta Sinjali kishte raportuar për rastim më 18 mars ku sipas Policisë rasti ka ndodhurpas orës 13:00 në rrugën “Ahmet Krasniqi”.

Vdekjen e të ndjerit e konfirmoi ekipi mjekësor që doli në vendin e ngjarjes, teksa edhe dy nga tre të dyshuarit kanë pësuar lëndime trupore për çka u dërguan në QKUK.  

Në vendin e ngjarjes ka intervenuar edhe Policia, ku janë kryer ekzaminimet e nevojshme, si dhe janë marrë pamjet nga kamerat e sigurisë në objektet përreth vendit ku ndodhi vrasja. Si dëshmi për rastin janë konfiskuar edhe arma që dyshohet të jetë përdorur, gëzhoja, si dhe një mjet i mprehtë.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/