image Vodhi 990 mijë euro në Aeroportin e Rinasit, dënohet me 25 vjet burgim

Shqipëri

Vodhi 990 mijë euro në Aeroportin e Rinasit, dënohet me 25 vjet burgim

news image

Gjykata e Posaçme ka dënuar me 25 vjet burgim Aleks Pepën, i akuzuar për përfshirje në grup kriminal dhe vjedhje me dhunë. Ai u dënua për vjedhjen e 990 mijë eurove në vitin 2016 në pistën e Aeroportit të Rinasit.

Për këtë rast Pepa ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpoli. Ai cilësohet si “truri” i grupit kriminal dhe pas grabitjes bashkë me dy bashkëpunëtorët e tij u identifikuan nga analizat e ADN-së dhe qelizat telefonike.

Këto të fundit treguan se më 30 qershor 2016 u lokalizuan nga antenat telefonike në zonën e Rinasit.

Më 30 qershor 2016 dy persona të armatosur çanë rrethimin e aeroportit, ndërsa drejtonin një automjet tip “Mercedez Benz“ ngjyrë të kuqe. Një person i tretë i priste më pas në një makinë të vjedhur dhe roli i tij ishte t’i ndihmonte të largoheshin.

Pepa bashkë me një person tjetër këputën me darë çelësat e derës së rrethimit të Aeroportit të Rinasit dhe u futën me automjetin tip “Benz” dhe u afrua te makinat e blinduara të një shoqërie sigurie, e cila ishte kontraktuar nga një bankë e nivelit të dytë në Tiranë për të transportuar sasinë e eurove nga Tirana, në drejtim të Rinasit, me qëllim transferimin e shumës financiare jashtë shtetit./GazetaSinjali/