image Vjedhje e rëndë në Termocentralin Kosova A, të rinjtë 'avullojnë' 200 kg kabllo bakri

Siguri

Vjedhje e rëndë në Termocentralin Kosova A, të rinjtë ‘avullojnë’ 200 kg kabllo bakri

news image

Një vjedhje e rëndë është kryer në termocentralin Kosova A në Obiliq, ku hajnat kanë ‘avulluar’ një sasi të madhe të kabllove të bakrit, raporton Gazeta Sinjali.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë njoftuar se deri më tani është arrestuar një i dyshuar dhe një tjetër gjendet në arrati.

Njëri nga të dyshuarit për vjedhjen e rëndë në termocentral është ndaluar dje, pas mesnate, nga Policia e Kosovës. I njëjti u kap në rrugën “Avdullah Qerkezi” të Obiliqit, duke lëvizur me një veturë të tipit “Golf”.

Njësia policore në bazë të planit kishte ndaluar veturën në fjalë, për kontroll të detajuar, meqë shoferi që e vozitë automjetin dyshohej se ishte një ndër personat që kanë kryer vjedhjen në “Kosovën A”.

Pasi i njëjti u ndalua, Policia i gjeti në bagazhin e veturës një sasi të kabllos elektrike prej bakri, rreth 200 kilogramë. I dyshuari B.P., 30-vjeçar u arrestua nga zyrtarët policorë, teksa vetura me të cilën lëvizte u sekuestrua nga njësia e hetimeve.

Prokurori ka lëshuar menjëherë urdhër ndaj tij, që të ndalohet dhe të dërgohet në Qendrën e mbajtjes për 48 orë.

Sipas burimeve të Sinjalit, për këtë rast të vjedhjes dyshohet edhe një person tjetër, R.K., 29-vjeçar, i cili gjendet në arrati.

/GazetaSinjali/