image Vitia: Nuk ka pasur asnjë efekt anësor deri tani në Kosovë nga vaksina AstraZeneca

Shëndetësi

Vitia: Nuk ka pasur asnjë efekt anësor deri tani në Kosovë nga vaksina AstraZeneca

news image

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka deklaruar se asnjë rast i efektit anësor nuk është paraqitur tek asnjë i vaksinuar deri tani në qendrën e vaksinimit në sallën “1 Tetori” në Prishtinë, me vaksinën antiCOVID.

Vitia këtë deklaratë e bëri gjatë vizitës që i bëri sot kësaj qendre me rastin e fillimit të vaksinimit të personave mbi moshën 85-vjeçare.

Ministri shtoi se vaksina është e sigurtë, duke inkurajuar të gjithë që të vaksinohen.

“Lajm i mirë që mora për ekipin që më së paku ka pasur punë është ekipi mjekësisë urgjente të cilët nuk e kishin pasur asnjë intervenim sepse nuk ka pasur asnjë efekt anësor apo të padëshirueshëm i cili do të mobilizonte ekipin e qendrës emergjente për reagim”, ka thënë Vitia.

Ai ka shtuar se do të krijohen edhe ekipet mobile për personat e palëvizshëm për t’ua mundësuar vaksinimin nëpër shtëpitë e tyre.

Ministri Vitia foli edhe për vaksinat që pritet të vijnë në Kosovë duke thënë se kontingjenti i dytë i vaksinave përmes programit COVAX pritet të vijë në fund të muajit prill ose në fillim të muajit maj.

“Kontingjenti i dytë i këtij grupi pritet të vijë nga fundi i prillit ose fillimi i majit. Këto janë fjalët që kemi nga mekanizmi COVAX por gjithsesi koha e vaksinimit është për dozën e dytë qershori. Besoj që jemi në kohë”, është shprehur ai.

Vitia ka shtuar se janë në diskutime me shumë shtete mike të Kosovës dhe me prodhues të tjerë të vaksinave për sigurimin e tyre mirëpo deri më tani nuk ka ndonjë përgjigje definitive nga askush./Gazeta Sinjali/