image Vilat në Korishë të Prizrenit që s’po i trazon askush, vendimi për rrënimin e tyre u mor që nga muaji maj

Sinjalizime

Vilat në Korishë të Prizrenit që s’po i trazon askush, vendimi për rrënimin e tyre u mor që nga muaji maj

news image

Ndërtimi i vilave të tipit pushimore nëpër periferi të qyteteve, është shndërruar në një biznes goxha fitimprurës për sipërmarrësit kosovarë. Kjo pasi që në bazë të lokacionit dhe kushteve që pushimoret ofrojnë, qytetarët paguajnë shuma të majme parash për t’i ikur syrit të publikut dhe për të krijuar privatësi për veten në ambiente totalisht të izoluara.

Disa të tilla kanë nisur të ndërtohen muaj më parë në një nga fshatrat e Prizrenit, i cili njihet si shembull i organizimit të kryesisë së fshatit për mirëmbajtjen e ambientit.

Fshati Korishë i cili është atraksion më vete shkaku i bukurive të shumta natyrore që ka, është lokacioni të cilin e ka zgjedhur biznesmeni prizrenas, Hasan Sallaj, për ndërtimin e disa shtëpive-vila. Sipas sinjalizuesve të Gazetës Sinjali, Sallaj për ndërtimin e vilave, dyshohet se fillimisht ka aplikuar në Drejtorinë e Urbanizmit në Komunën e Prizrenit që të pajiset me leje ndërtimi për stallë të lopëve e më pas ka ndërruar destinimin, duke bërë kështu ndërtim të kundërligjshëm të pushimoreve, raporton Gazeta Sinjali.

Për shkak të mospajisjes me leje të ndërtimit, Drejtoria e Inspektorateve në Komunën e Prizrenit, në muajin maj ka nxjerrë aktvendim përmes të cilit Sallaj detyrohet që t’i ndërpresë menjëherë punimet. Por sipas sinjalizuesve të Gazetës Sinjali, ndërtimi në zonën ku janë të planifikuara vilat, ka vazhduar edhe pas vendimit për ndaljen e punimeve.

Sinjalizuesit kanë deklaruar se kjo po ndodh për shkak të raporteve të afërta të cilat i ka Sallaj me drejtorin e Inspektorateve, Islam Ukaj. Ata pretendojnë se Ukaj ka dhënë garanci se për aq kohë sa të jetë ai në atë pozitë, nuk do të merret asnjë veprim për rrënim. Madje dyshohet se Sallaj ka dhënë ryshfet në Inspektorat që mos t’i rrënohet objekti.

Gazeta Sinjali ka kontaktuar me drejtorin, Islam Ukaj, i cili ka mohuar kategorikisht njohjen me Sallajn. Ukaj pohon se personin në fjalë nuk e njeh fare dhe s’e ka parë asnjëherë në jetën e tij.

Aludimi i asaj që njihem me ata, hajdeni këqyrni gjobat e aktvendimin e rrënimit. S’e ngjoh, ajo është shpifje, kush e ka thanë ata është shpifje. Se me pas ngjoftë unë ata, ai nuk e ka vendimin e rrënimit prej muajt të 5-të. Unë atë person, atë emër që e keni shkru aty unë kurrë në jetë teme nuk e kam pa, as nuk e di edhe në rrugë me pa kush është. Me e pasë ngjoftë ata, asnji procedurë nuk e kisha ndjekë“, tha Ukaj për Sinjalin.

Ndërkohë Gazeta Sinjali bazuar në Ligjin për Qasje në Dokumente Publike, ka kërkuar nga Drejtoria e Inspektorateve qasje në dokumentet zyrtare për rastin e Sallajt.

Në dokumentet e siguruara shihet aktvendimi i marrë më 20 maj të këtij viti, ku Hasan Sallaj urdhërohet që menjëherë t’i ndërpres punimet në ndërtimin e objektit afarist në rrugën ‘Kabashi i Venit’ në fshatin Korishë. Sipas dokumentit, gjatë inspektimit është bërë edhe vendosja e vulave zyrtare, shiritave, për ndalimin e punimeve.

Por ky vendim nuk ka gjetur zbatim ende dhe sipas Ukajt, kjo është për shkak të procedurave lidhur me rastin.

Se janë disa procedura, në momentin që nuk e prek objektin që është pa leje edhe e ka vendimin për rrënim vullnetar, na do të presmi derisa ai t’i shfrytëzon të drejtat e veta ligjore, a do të pajiset me leje nga Urbanizmi, apo a do të merr refuzimin e kërkesës për pajisje me leje, ajo gjendja faktike që 6 muaj është e njëjta“, tha Ukaj për Sinjalin.

Sallaj po ashtu është ndëshkuar edhe me gjobë mandatore në vlerë të 500 eurove për ndërtim ilegal.

Por përkundër kësaj, sipas sinjalizuesve punimet për ndërtimin e kundërligjshëm janë shtrirë edhe më tej pa u penguar nga askush, ani pse Ukaj pohon se gjendja faktike e objektit është e njëjta si më 20 maj, kur edhe janë ndalur punimet.

Vurja e shiritave është ba me 20.05.2022, mandej gjoba prej 500 euro është ba me 20.05.2022. Janë procesverbalet që janë ba, janë fotografitë. Mandej gjendja faktike edhe sot që ekziston është e njëjta, nuk është guxu asnji send me u ba. Tash e ka edhe vendimin për rrënimin vullnetar“, deklaroi ai.

Gazeta Sinjali ka dërguar pyetje edhe në Drejtorinë e Urbanizmit në Komunën e Prizrenit për të marrë informacione nëse Sallaj ka aplikuar për leje të ndërtimit dhe nëse i njëjti është pajisur me të, mirëpo ata nuk kanë kthyer përgjigje deri në momentin e publikimit të këtij artikulli.

Po ashtu, Sinjali ka provuar të marrë detaje edhe nga Policia e Kosovës dhe Prokuroria Themelore në Prizren, nëse të njëjtit janë në dijeni për ndërtim të kundërligjshëm në Korishë dhe a janë marrë veprime hetimore. As ata nuk kanë kthyer përgjigje dhe si rrjedhojë nuk dihet nëse kanë filluar hetimet apo nëse ka persona të dyshuar lidhur me rastin.

Sinjali do ta ndjek edhe më tutje rastin dhe do t’iu mbajë të informuar me detajet e reja.

Më poshtë mund t’i shihni pamjet nga vendi ku po ndërtohen vilat.

Pamjet janë realizuar më 2 shtator 2022
Pamjet janë realizuar më 15 shtator 2022
Pamjetjanë realizuar më 15 shtator 2022

/GazetaSinjali/