image Veseli: Zgjedhjet janë të pashmangshme

Kosovë

Veseli: Zgjedhjet janë të pashmangshme

news image

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli ka deklaruar se Kuvendi do të shpërndahet më 22 gusht

Kryeparlamentari Kadri Veseli ka deklaruar se jemi në fazën e vendimmarrjes përfundimtare para shpërdarjes së Kuvendit. Sipas tij zgjedhjet janë të pashmangshme.

“Me 22 gusht, Kuvendi i Republikës të Kosovës do të mblidhet për të shpërndarë Kuvendin. Do t’i hapet perspektivë zgjedhjeve, për arsye se qytetarët e këtij vendi janë ata që duhet të marrin vendim si do të ec Kosova për katër vitet e ardhshme. Një nga arsyet kryesore është se mund të forcohet rinia”, tha Veseli.

Ai bëri këto komente me rastin e shpërndarjes së certifikatave për të rinj të cilët janë trajnuar në fushën e ndërmarrësisë dhe zhvillim të planeve të biznesit, ku i pranishëm ishte edhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi.Veseli tha se janë qytetarët që përmes vendimmarrjes së tyre mund ta forcojnë rininë që të ketë një angazhim edhe më të fuqishëm.

Duke folur për projektin e zhvillimit të të rinjve në ndërmarrësi, ai tha se projektet e tilla kanë për qëllim orientimin e buxhetit kah ndërmarrësia dhe integrimin e të rinjve që të marrin përgjegjësitë në zhvillimin e vendit.

Gjatë vitit të ardhshëm, Veseli u shpreh se buxheti për të rinjtë do të trefishohet. Teksa tha se duhet të çrrënjoset korrupsioni dhe nepotizimi, që po ndikon në demotivimin e të rinjve për të jetuar në vend./Sinjali/