image Vazhdon apeli i IKSHPK-së për vaksinim: Virusi bartet shpejt prej një personi në dhjetëra persona tjerë

Shëndetësi

Vazhdon apeli i IKSHPK-së për vaksinim: Virusi bartet shpejt prej një personi në dhjetëra persona tjerë

news image

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, ka apeluar sërish te qytetarët që të vaksinohen kundër virusit COVID-19.

Në apelin e IKSHPK-së thuhet se varianti Delta po vazhdon që të përhapet me shpejtësi dhe se po bartet shpejt prej një personi në dhjetëra persona të tjerë.

“Delta varianti po vazhdon të përhapet me shpejtësi në Kosovë! Virusi bartet shumë shpejt prej një personi në dhjetëra persona tjerë me pasoja që në të shumtën e rasteve mund të jenë fatale e që fatkeqësisht preken edhe fëmijët!”, thuhet në apelin e IKSHPK-së.

Apeli i plotë:

Qytetarë të dashur!

Delta varianti po vazhdon të përhapet me shpejtësi në Kosovë! Virusi bartet shumë shpejt prej një personi në dhjetëra persona tjerë me pasoja që në të shumtën e rasteve mund të jenë fatale e që fatkeqësisht preken edhe fëmijët!

Rastet pozitive me SARS CoV-2 janë në rritje në mënyrë rapide me variantin Delta i cili është dominant! Masat rigoroze të ndërmarra dhe zbatimi i tyre duhet të bëhet nga çdo qytetar i Republikës.

Bashkë me masat tashmë të njohura: bartja e maskave, mbajtja e distancës dhe mbajtja e higjienës, do të arrijnë efektin e vet ne uljen e lakores, ju lutemi të besoni se masa më efikase në luftë kundër COVID-19 është VAKSINIMI!

Andaj për hir të shëndetit tuaj!

Ju lutemi!

Vaksinohuni! 

Vaksinimi kundër COVID-19 shpëton jetë!

Personat e pa vaksinuar janë brenga jonë më e madhe!

Vaksinimi është metoda më e mirë, më e lirë dhe me efikase në luftë kundër COVID-19!

Vaksinimi zgjon mbrojtjen natyrore të trupit tonë për të krijuar rezistencë ndaj infeksioneve specifike dhe e fuqizon sistemin imunitar!

Vaksinimi parandalon vdekjet dhe komplikimet e rënda, të cilat kërkojnë shtrirjen e pacientit në spital.

Vaksinohuni ju dhe të afërmit tuaj!

Me vaksinim do ta kalojmë valën e re nga varianti Delta me sa më pak të sëmurë e sa më pak viktima.

Asnjëra vaksinë që është në përdorim në Kosovë nuk përmban virus të gjallë që shkakton COVID-19. Kjo domethënë se nuk mund të sëmureni me COVID-19 nga vaksina.

Kosova është i vetmi shtet në rajon që ka dhënë vetëm vaksina të miratura nga Agjencia Evropiane dhe Amerikane e  Barnave është Kosova. Këto vaksina janë Astra-Zeneca dhe Pfizer. Këto vaksina kanë sigurinë, cilësinë dhe efikasitetin, që e plotësojnë standardin evropian dhe atë amerikan.

Disa po ngurrojnë për t’u vaksinuar sepse frikësohen nga efektet anësore të cilat deri tani në Kosovë kanë qenë minimale por dobia e mbrojtes nga COVID-19 është shumë herë më e madhe.

Nëse nuk vaksinohemi mund të rriten rastet e reja duke u përcjellë me shtim të hospitalizimeve, vdekjeve, mbingarkesë të sistemit shëndetësor, rikthim të kufizimeve, goditje të shëndetit mental, shkollës, ekonomisë, kulturë, artit e sportit.

Qytetarë të dashur!

Vaksinohuni! 

Me vaksinë mbroni veten, familjen, të afërmit, kombin dhe njerëzimin kundër COVID-19.

  Mbuloni gojën dhe hundën me maskë!

  Respektoni distancën!

  Mbani higjienën!

/GazetaSinjali/