Varësia nga droga në Kosovë sa vjen e shtohet dhe kjo dëshmohet çdo ditë me kapjen dhe arrestimin e dhjetëra personave konsumues të substancave narkotike. Disa raste të tilla janë zbuluar mbrëmë në Prishtinë e Gjilan, raporton Gazeta Sinjali.
Në kryeqytet, në disa lokacione, pas mesnatës, njësitë policore kanë arritur të kapin tre të rinj që posedonin substanca narkotike. Dy rastet e para kanë qenë në rrugën “Xhorxh Bush”, ku në periudha të ndryshme, dy persona janë kapur me narkotikë. Njërit i është gjetur marihuanë në xhep dhe më pas është shoqëruar në stacion policor, ku është intervistuar. Edhe i dyshuari tjetër është arrestuar në flagrancë por ai u kap me substancë të dyshuar, kokainë. Ndaj tyre, janë iniciuar raste për posedim të paautorizuar të narkotikëve.
Ndërkaq rasti tjetër është zbuluar në rrugën C, në orët e para të mëngjesit, ku një 20-vjeçar është ndaluar nga patrulla policore derisa po lëvizte me veturën e tij. Pas kontrollit policor të automjetit dhe të të dyshuarit, zyrtarët policorë kanë gjetur substancë të dyshuar narkotike, marihuanë, që është konfiskuar. Ndërsa i dyshuari është shoqëruar po ashtu në Polici, për të dhënë deklaratë për veprën me të cilën ngarkohet.
Dhe rasti i fundit ka ndodhur në fshatin Rufc i Ri në Lipjan, derisa Policia po patrullonte në një pikë kontrolli, ku u ndalua një veturë, në të cilën ndodheshin dy persona. Me rastin e kontrollit policor, Policia e kuptoi se njëri prej tyre posedon narkotikë dhe si rezultat i dyshuari u dërgua në stacion policor, ku është intervistuar.
Sipas Kodit Penal të Kosovës, është e jashtëligjshme që qytetarët të blejnë, posedojnë apo shpërndajnë substanca narkotike dhe mund të dënohen me gjobë apo burgim, varësisht nga sasia dhe lloji i lëndës narkotike që iu kapet nga autoritetet e rendit.