image Udhëpërshkrim/ Nuancë e së gjelbrës nga jugu

Histori

Udhëpërshkrim/ Nuancë e së gjelbrës nga jugu

news image

Shkruan: Urall Boshnjaku

E gjelbër, me të gjitha nuancat që kjo ngjyrë ka, si peisazh i kopshteve të parajsës. Kështu po dukej tërë itinerari drejt jugut, menjëherë pasi zbardhën shkënditë e para të diellit në dritaret e autobusit që mori rrugë nga Prishtina drejt Sarandës, fiks në ora 23:00. Dukej sikur po endeshe në paraëndrrat e udhëtimeve të gjata që kryefjalë kishin të gjelbrën.

Gjithçka nisi kur ditë më parë në një restorant buzë liqenit të Mitrovicës po bisedonim me shokun tim Edin për lodhjen nga rutina e përditshmërisë që medoemos po obligonte arratisjen. Me një plan aty për aty vendosëm që destinacion ta kishim Ksamilin, vendin më të bukur të rivierës shqiptare, ani pse këtë e them me plot dyshim, meq’ Shqipëria është e bukur gjithandej.

Kështu edhe mësonim në vjershat që na infuziononin me ndjenjën e dashurisë dhe pronësisë për shtetin amë, tokën e Arbërit.

Në kllapisjet e herëpas’hershme që shoqëroheshin me pëlpëlitje të kapakëve të syve në ulësen numër 11 të autobusit, fill pas orës 05:00 të mëngjesit, kur dielli kish filluar t’ia merrte primatin hënës, e gjelbra pllakosi kafenë e syve që shihnin plot mahnitje.

Përrenjtë e përrockat kaltroshe si sytë me ngjyrën më të bukur të qiellit ndanin më dysh fushat e shumta të mbjella me vreshta rrushi gjelbër çelë e trupa ullinjsh ngjyrë herbe, të punuara me zell, e të pikosura me lule vjollce e pembellushe sikur në peisazhet e ndonjë piktori famoz. Gjithçka duket edhe më bukur seç kishte përshkruar Evlia Qelebiu.

Guroret që ishin çarë përmes për ta lidhur jugun me rrugën nga Kosova ishin renditur në formë kubëzash të organizuara me bardhësi biluri e ku bota bimore veç kish filluar ta marri primatin. Mrekulli se si e gjalla triumfonte mbi të vdekurën.

Përgjatë tërë rrugës ku tabelat po sinjalizonin rrugën për Sarandë e Gjirokastër ishte vështirë të hasje në toka djerrinë e të paprekura nga dora e bujkut të zellshëm shqiptar.

Mbetjeve të të mbjellave të grurit që veç ish korrur i ish përgatitur kallëpi prej drejtkëndëshi, sikur bujqit që i shihje arrave në ora 06:00 të mëngjesit t’ishin marrë vesh me natyrën që asgjë të mos prishte harmoninë e rregulluar për merak.

Ca këtu e ca aty, shtëpitë me plato njëkatëshe që të kujtonin komunizmin e përshkruar nga Kadareja ishin tubuar në stil qyteze. Veç diçka tregonte që s’ishim më në komunizëm. Kisha hijerëndë ortodokse që rrinte ballë për ballë xhamisë minarebardhë. Ah po, edhe lulet shumëngjyrëshe në ballkonet e shtëpive që thenin zymtësinë e së hirtës komuniste.

Jugu ishte i gjelbër. Nisur nga pishat fijebuta që s’i hasje askund në Kosovë, deri tek drunjtë e mbjellur përgjatë rrugëve anash së cilave po pushonin gomarët. I bukur sa më s’ka, aq sa pesha e fjalëve s’zë vendin e fotografisë.

Kujtimet pas do tentoj t’i sjellë në valixhen me ngjyrë kaltër që mora me vete gjysmë të zbrazur.

/GazetaSinjali/