image U dënua për ndihmë në vrasje: Kunati i Haxhiut merr leje edhe për punë pasi iu ndryshua qendra e burgut

Drejtësi

U dënua për ndihmë në vrasje: Kunati i Haxhiut merr leje edhe për punë pasi iu ndryshua qendra e burgut

news image

Hazir Krasniqi, vëllai i bashkëshortit të ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, është i dënuar për “Ndihmë në kryerjen e veprës penale vrasje”. Në fund të vitit 2021, ky u transferua nga Qendra e Paraburgimit në Prishtinë, në Qendrën Korrektuese në Smrekonicë. Disa muaj më vonë, më konkretisht në korrik të këtij viti, i njëjti do të fillonte punë jashtë institucionit, derisa po vuan ende dënimin. Shërbimi Korrektues i Kosovës mohon të ketë pasur ndikim të ministres në krejt këtë, ndërsa kjo e fundit na foli shumë shkurt.

Në vitin 2020, Gjykata Themelore kishte shpallur aktgjykim dënues ndaj Emin Krasniqit, Astrit Krasniqit, Durim Krasniqit dhe Hazir Krasniqit, në lidhje me rastin e përmendur më lartë. Ky i fundit, në këtë rast akuzohej për ndihmë në vrasjen e rëndë.

Krasniqi, familjari i ministres Haxhiu, është transferuar nga Qendra e Paraburgimit në Prishtinë, në Qendrën Korrektuese në Smrekonicë.

Kjo ka ndodhur pa procedurat e nevojshme, gjë të cilën e mohoi drejtori i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Sami Gashi.

“Ju siguroj, se asnjë i burgosur, pavarësisht se kush është, nuk mund të kalojë pa iu nënshtruar procedurave të vlerësimit dhe kritereve të cilat SHKK i aplikon për të gjithë të burgosurit pa dallim.” – ka thënë ai për Nacionalen.

Gashi ka treguar edhe datën kur është bërë transferimi në Qendrën Korrektuese në Smrekonicë.

“Hazir Krasniqi, i dënuar me 4 vite e 6 muaj për veprën penale “Ndihmë në kryerjen e veprës penale vrasje”. I njëjti, është transferuar nga Qendra e Paraburgimit, Prishtinë më datë 13.12.2021 në Qendrën Korrektuese në Smrekonicë.” – tha drejtori i SHKK-së.

Krasniqi punon për pesë ditë në javë, nga 8 orë. I njëjti, del nga qendra në orën 07:00 dhe kthehet në 17:00, pra pasdite. Orari i punës, është nga ora 08:00, deri në orën 16:00.

Lokacioni, ku kunati i ministres Haxhiu punon, është në Carralukë të Malishevës, në një biznes të njohur me emrin “OLA Shpk”.

Veprimtaria e “Ola Shpk” është tregti me shumicë e kafesë, çajit, kakaos dhe erëzave, tregti me shumicë e sheqerit, qokollatës dhe emëlsirave, si dhe tregti me shumicë e pijeve.

Se Krasniqi është i punësuar, e konfirmoi edhe drejtori i SHKK-së, Sami Gashi, i cili mes tjerash, e ka cilësuar atë edhe si një prej të dënuarve “më të disiplinuar dhe më të sjellshëm”.

“I dënuari, H.K, ka filluar punën jashtë institucionit më datë 28.7.2022 bazuar në Udhëzimin Administrativ të vitit 2019 për punë jashtë institucionit bazuar në rregullat dhe kriteret e përcaktuara sipas ligjit në fuqi. Po ashtu, është një nga të dënuarit më të diciplinuar dhe më të sjellshëm në burgun e Smrekonicës, si dhe është shfrytëzues i shumëfishtë i beneficionit vikend në shtëpi.” – tha ai.

Për krejt këtë çështje, Nacionale ka kontaktuar edhe me ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu e cila shkurt na tha: “Këto nuk janë kompetencë e imja”.

/GazetaSinjali/